Ambasadori Christopher Hill përfundon dëshminë në Hagë
Të besueshëm, por jo vendimmarrës.
Kështu e ka përshkruar Hashim Thaçin diplomati amerikan Christopher Hill, në ditën e tretë dhe të fundit të dëshmisë së tij në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve në Hagë të Holandës.
Ai ka folur edhe për Jakup Krasniqin, që njihej si zëdhënës i UÇK-së, por edhe për komunikatat e UÇK-së dhe kundërthëniet e tyre në përmbajtje.
“Këto ishin shumë të mjegullta për ne sepse ne nuk e dinim se kush i lëshonte këto komunikata. A ishin çështje sigurie që nxirreshin apo vërtetë nuk ekzistonte një strukturë që të besonim edhe ne. Prandaj, ne nuk mund t’i përdornim këto komunikata si bazë për të përcaktuar një strukturë vertikale organizative të UÇK-së”, ka deklaruar ai.
Tek ka folur për nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë, tha se pranimi nga delegacioni shqiptar rrëzoi pikëpamjet e Sllobodan Millosheviqit për shqiptarët.
“Ai kishte thënë gjatë gjithë kohës që shqiptarët nuk do pajtohen me asgjë dhe për rrjedhojë ne nuk na duhet të pajtohemi me asgjë. Ky ishte një mesazh i kundërt me atë se çfarë po thoshte Millosheviqi. Ne, po i thoshim Milloshevqit që ai e kishe gabim, se e arritëm Marrëveshjen por ti do bësh mirë që të mendosh se cila do të jetë lëvizja e radhës e Serbisë”, ka deklaruar Hill.
Nga gjyqtarët, dëshmitarit iu kërkua të jepte pikëpamjet e tij për arritjen e Thaçit nga një student në një person të rëndësishëm për UÇK-në e Kosovën.
“Nuk kam shpjegim. Kam mendime që mund të jenë konfliktuale me njëra-tjetrën dhe njëra prej tyre është se mbase nuk mund të ishte i fuqishëm sa shikohet nga jashtë sepse në fund të fundit çdo vendim që merrte ai vinte si rezultat i shumë konsultimeve të tjera pararendëse. Kështu që përshtypja ime është që ai ishte një bashkëbisedues i besueshëm por nuk ishte vendimmarrës”,ka theksuar ai.
Dëshmia e tij, prej më të rëdësishmeve në procesin që po mbërrinë fundin, u bë me kërkesë të ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit, dhe llogaritet ndër më të rëndësishmet në gjykim.
Ai mes tjerash tha të mos ketë pasur njohuri se Thaçi kishte urdhëruar aktivitete të paligjshme, derisa edhe zbuti pretendimet e ish-diplomatit tjetër amerikan, Shaun Byrnes, i cili ishte i prirur të besonte se UÇK-ja kishte hierarki e strukturë të një ushtrie të vërtetë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi tash e 5 vite janë në paraburgim, nën akuzat për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

