MaqedoniTop Lajme

Fetai: Gëzuar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!

Shpërndaje

Në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, zv.kryeministri Arben Fetai adresoi qytetarët me një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e barazisë gjuhësore dhe kohezionit shoqëror, njofton albazone media.

Në Seancën Solemne të Qeverisë, ai theksoi se trashëgimia e rilindësve tanë dhe vendimet e tyre vizionare vazhdojnë të mbeten themel i shtetit modern dhe evropian që synojmë të ndërtojmë. Ai rikujtoi se gjuha është mjet përbashkimi dhe emancipimi, dhe se respekti për diversitetin gjuhësor është vlerë që na afron me Evropën dhe me idealet tona shtetformuese.

Postimi i plotë:

Sot, 22 Nëntor, në Seancën Solemne të Qeverisë, riafirmova një të vërtetë që përcakton cilësinë e demokracisë sonë: barazia gjuhësore është themel i një shteti modern dhe evropian.

117 vjet më parë, në Manastir, rilindësit tanë morën një vendim racional dhe vizionar, ku i dhanë gjuhës shqipe standard dhe strukturë. Ajo nuk ishte vetëm çështje gjuhe, ishte projekt shtetndërtimi, projekt emancipimi dhe projekt për të ardhmen.

Gjuha shqipe na mëson një parim të thjeshtë që përfshirja ndërton, përjashtimi dëmton.

Gjuha është urë komunikimi, jo vijë ndarjeje.

Sot, Qeveria jonë është e përkushtuar të garantojë që çdo gjuhë, çdo identitet dhe çdo komunitet të ndihen të respektuar dhe të barabartë. Ky është standardi që na afron me Evropën që synojmë dhe me shtetin që duam të ndërtojmë.

Në këtë ditë, nderojmë të gjithë shqiptarët që e shënojnë 22 Nëntorin dhe kontribuojnë në zhvillimin e përbashkët të vendit tonë.

Dhe pikërisht kjo ditë na rikujton se e ardhmja ndërtohet së bashku, me respekt, me dinjitet dhe me vullnet për t’u ngritur më lart.
Gëzuar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!