Kurti nga Manastiri: Bashkë na bën gjuha si fakt i natyrshëm, politikisht bashkë na bën shkrimi i njësuar i saj
Manastir, Maqedoni e Veriut, 22 nëntor 2025
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi,
I nderuar Zëvendëskryeministër në Republikën e Maqedoninë e Veriut, z. Arben Fetai,
E nderuar Zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla,
Të nderuar kryetarë të komunave: i Komunës së Çairit, z. Izet Mexhiti, i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami, i Komunës së Strugës, z. Mendi Qyra, e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani,
I nderuari Kryetar i Bashkisë Hora e Arbëreshëve, z. Rosario Petta,
I nderuari z. Lulzim Jashari, djali i kryekomandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari,
I nderuar Ambasador i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, z. Florian Qehaja,
Të nderuar deputetë, ministra, zëvendësministra, zyrtarë shteti të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të Republikës së Kosovës, të Republikës së Shqipërisë, gjithandej nga jetojnë shqiptarët, që na keni bërë bashkë në këtë mbrëmje të jashtëzakonshme, faleminderit të gjithëve për këtë mikpritje kaq të përzemërt,
Ky fjalim që po lexoj para jush është shkruar në njërin nga dy alfabetet që Kongresi i Manastirit miratoi për t’u përdorur nga të gjithë shqiptarët, 117 vite më parë. Alfabeti i Shoqërisë “Agimi” duket aq i thjeshtë, operativ, por njëkohësisht është dhe kaq sublim. E mësojmë në fëmijërinë e hershme, duke i kthyer tingujt e gjuhës amtare në shkronja dhe nuk ndahemi prej tij asnjëherë, kudo ku qëllon të jemi, sepse edhe gjuhët më të përhapura në botë, nga e gjithë historia e njerëzimit, shkruhen me të njëjtat gërma, pra porsi gjuha jonë e bukur shqipe.
Sublimja qëndron në faktin se dalja, apo ridalja e kombit tonë në botë moderne, shfaqja e tij si një komb i veçantë mes kombeve të tjerë të Ballkanit dhe të Evropës, duhej të ndodhte përmes alfabetit. Naum Veqilharxhi, një nga nismëtarët e Rilindjes sonë Kombëtare, shqetësohej se pse populli ynë kishte ngelur kaq mbrapa në zhvillim, krahasuar me popujt më të përparuar të kohës. Ai mendonte se çelësi për fillimin e përpjekjes së madhe kundër prapambetjes, jo vetëm materiale, por edhe ideore e shpirtërore, ishte lëvrimi i gjuhës amtare. Dhe ja pra, kështu e quanin ata, lëvrimi i gjuhës amtare. E, në anën tjetër ne e kemi fjalën e bukur shqipe, arsimi apo arësimi, shndërrimi i tokës në arë, e cla kur mbillet na i sjellë frytet nga të cilat jetojmë. Prandaj, nuk është rastësi që pikërisht ai e shpiku një alfabet të përveçëm të gjuhës shqipe, që të mos përkonte me alfabetët latinë, grekë e cirilikë në përdorim prej popujve të tjerë rrotull shqiptarëve. Të njëjtin shqetësim e kishin edhe patriotët që do të krijonin Shoqërinë e të Shtypuri Shkronja Shqip dhe që hartuan alfabetin e Stambollit. Hyrja e “Kanonizmës” së kësaj shoqërie fillon me fjalinë, po citoj: “Gjithë sa kombe janë të ndritur dhe të qytetëruar janë ndriçuar dhe qytetëruar prej librash në gjuhë të veta”, mbaron citati dhe fjala libër na kujton padyshim “Mesharin” e Gjon Buzukut, librin më të vjetër të gjuhës shqipe, botuar në vitin 1555.
Që nga Kongresi i Manastirit më 1908 e deri te Kongresi i Drejtshkrimit të vitit 1972, kemi përpjekjet për të njësuar shkrimin e shqipes, jo thjesht për arsye operative, por edhe për një arsye tjetër: që përkundër ndarjeve politike, krahinore, ideologjike, shqiptarët të bashkoheshin te gjuha, sepse lëvrimi i njëkohshëm i gjuhës së shkruar, do të ishte dhe është ende kushti për të përballuar dhe kapërcyer efektet e ndarjeve të tjera. Sepse, kombi nuk është në të kaluarën, është në të tashmen dhe në të ardhmen. Përveçse masë njerëzore, është edhe frymë që e kthen masën njerëzore në një bashkësi. Bashkë na bën gjuha si fakt i natyrshëm, politikisht bashkë na bën shkrimi i njësuar i saj.
Prandaj, kujtojmë çdo vit 22 Nëntorin si Ditë të Alfabetit, prandaj Manastiri i bashkëngjitet Prizrenit e Vlorës si tre vendndodhje të rëndësishme të historisë sonë. Përkujtimi brenda javës edhe i Kongresit të Manastirit, edhe i Kuvendit të Vlorës, lidh bashkë gjuhën e kulturën me idenë e lirisë dhe të vetëvendosjes. Të dyja datat na përcjellin kujtesën, amanetin, vullnetin për të përjetësuar njësimin dhe zhvillimin e shqiptarëve.
Alfabeti i standardizuar në Manastir, është kurorëzimi i evolucionit të shkrimit shqip ndër shumë shekuj. Ata që shkruanin shqip përdorën shenja të përbashkëta me alfabete të ndryshëm, por secili alfabet në të cilin shkruan mund të quhej alfabet shqiptar. Sepse asnjë alfabet tjetër nuk mjaftonte për shënimin e të gjithë tingujve (fonemave) të gjuhë sonë shumë të pasur. Çdo alfabet duhej shqiptarizuar, duke bashkuar shkronja apo duke shpikur ndonjë shenjë të re. Dhe, kësisoj, alfabeti që përdorën nuk ishte identik me asnjë tjetër. Ishte alfabeti ynë.
Edhe pse kishin kontakte me sisteme shkrimi të ndryshëm, me atë hieroglifik, diagramatik apo abjad (vetëm me bashkëtingëllore, pa zanore si, shkrimi arab, hebre, e të tjerë), ata iu bashkuan një të mire botërore dhe më të përshtatshmes për ne, sistemit shkrimor fonetik, ku gjuha jonë është posaçërisht e pasur.
Në fillim të shekullit të kaluar, mendje të ndritura, fetare e laike, e morën këtë traditë shkrimore si trashëgimi për ta zhvilluar dhe na e lanë neve të atillë. Me pasurinë fonetike, leksikore, gramatikore, e në fund edhe shkronjave, gjuhës iu lehtësua shprehja në shkrim dhe qenies shqiptare shprehja përmes gjuhës së shkruar. Prandaj, emri i përveçëm “Kongresi i Manastirit” ose “Kongresi i Alfabetit”, mbetet siç mbetet vetë shkrimi. Sepse: scripta manent! Shqipja mbetet! Qenia shqiptare mbetet.
E në trekëndëshin e madh të epokës shqiptare moderne, Prizren Manastir Vlorë, ne jemi sot në këndin më të hollë, më të ndjeshëm. Të lartët e historisë sonë, poetë dhe ideologë, e dinin që mund dhe duhet të bashkohemi më së pari në mendim. Dhe, mendimi kthjellohet në gjuhë. Dhe, gjuha jonë ishte e pasur në fonemë. Kongresi i Manastirit është pra ngjarja më speciale mes ngjarjeve të mëdha. Të lartët tanë e vendosën gjuhën jo me akademi, por me Kongres. Ju kërkoj të vendosim bashkërisht e intimisht në përkujtimin tonë të kësaj ngjarje secilën herë mbiemrat e mëdhenj: Gjergj Fishta dhe Mithat Frashëri, Mjeda dhe Gurakuqi, Parashqevi Qiriazi dhe Hilë Mosi, Avrami dhe Zavalani, Bajo Topulli dhe Sotir Peci, Shahin Kolonja dhe Mihal Grameno, Gligor Cilka dhe Sami Pojani, e të tjerë. Luftëtarë, poetë dhe poetë luftëtarë, në gjuhë.
Ju faleminderit për mikpritjen dhe vëmendjen e gëzuar 117-vjetori i Kongresit të Alfabetit!

