MaqedoniTop Lajme

Kush nga ministrat do të vazhdojë e kush do të largohet nga Qeveria? – Pse Mickoski është i pakënaqur me ministrat e ‘ZNAM’?

Shpërndaje

Me përfundimin e zgjedhjeve lokale dhe zgjedhjes së disa deputetëve dhe funksionarëve si kryetarë komunash, Kuvendi zëvendësoi tre deputetë ndërsa në vijim e sipër është që edhe Qeveria të realizojë rikonstruimin.

Pas zgjedhjes së Izet Mexhitit si kryetar të Çairit, do të duhet të plotësohen funksionet zv.kryeministër i parë dhe ministër i ambientit jetësor. Për të parën, është konfirmuar deputeti Bekim Sali, ndërsa pozita e ministrit të Ambientit do të mbetet në kuadër të VLEN-it por me emër të ri.

Kryetari i Alternativës në kuadër të VLEN-it, Zeqirija Ibrahimi, thotë se janë në pritje të përfundimit formal të procesit zgjedhor dhe më pas do të ulen të bisedojnë me kryeministrin Mickoski.

“Fillimisht do të flasim për pjesën e pozitave të zbrazura se si do ti mbulojmë kurse pjesa tjetër është a do të bëjmë një rikonstruim të thellë të Qeverisë apo do të ndalemi vetëm në pjesën e mbulimit të pozitave të zbrazura… Në qoftë se është puna vetëm për ato dy pozita, për njërën, pra zv.kryeministrit të parë tashmë e di edhe opinioni që kemi dakordim në VLEN që do të jetë z.Bekim Sali ndërsa për ministrin e mjedisit jetësor akoma nuk ka një propozim nga Lëvizja Demokratike”, tha Zeqirija Ibrahimi – VLEN.

Siç mësohet jo zyrtarisht, kryeministri Mickoski nuk është i kënaqur nga puna e deritanishme e dy ministrave nga radhët e ZNAM-it, Igor Fillkov në drejtësi dhe Goran Minçev në Administratë, por i pakënaqur thuhet të jetë edhe nga puna e ministres së arsimit, Vesna Janevska. Sa i përket VLEN-it, Mickoski do të pres nga partneri i koalicionit të propozojë ndryshime eventuale në radhët e tyre, siç ka qenë praktikë deri tani.

“Deri tash ne nuk kemi dëgjuar nga ai se ka ndonjë pakënaqësi ndaj ministrave të VLEN-it por duhet të flasim, t’i ballafaqojmë argumentet dhe të shohim se ku janë vërejtjet dhe mund ta rishikojmë dhe ne nuk ka problem. Ne nuk jemi insistues që me çdo kusht për çdo kuadër në qoftë se ka argumente të mjaftueshme se dikush ka mundësi ta bënte detyrën e tij më mirë seç e bën aktualisht”, u shpreh Zeqirija Ibrahimi – VLEN.

Rikonstruimin e Qeverisë e kishte paralajmëruar vet Mickoski në fund të muajit gusht. Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, tha se Qeveria do të hapë derën për njerëz të rinj me qëllim përmirësimin e kapaciteteve./ Alsat.mk