LVV fton deputetët: Me racionalitet e maturi t’i përgjigjen kësaj seance
Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se grupi i saj parlamentar ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për nesër në orën 11:00, ku pritet të diskutohen disa nga çështjet më urgjente fiskale dhe institucionale të vendit.Sipas njoftimit, seanca do të përfshijë debat për buxhetin e vitit 2026, si dhe buxhetin për RTK-në dhe për disa komuna. Po ashtu, në rend dite janë edhe pesë pika që trajtojnë marrëveshje ndërkombëtare në vlerë prej një miliard euro financim, përfshirë 90 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian.
Thirrja nga LVV:
Lëvizja VETËVENDOSJE!, grupi i saj parlamentar, ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për nesër në orën 11:00, për të trajtuar çështjet dhe sfidat që presin përpara vendin tonë.
Ndër të tjera, kjo seancë përfshin tema të rëndësishme si buxheti për vitin 2026, buxheti për RTK-në dhe buxheti për disa komuna. Po ashtu, në këtë seancë pesë pika të rendit të ditës trajtojnë marrëveshje ndërkombëtare në vlerë prej një miliard euro financim, prej tyre 90 milionë euro grant nga BE-ja.
Ftojmë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që me racionalitet e maturi t’i përgjigjen kësaj seance dhe kësisoj të votojnë këto ligje e marrëveshje të rëndësishme, që vendi të mos përballet me sfida të tilla dhe kështu të ecim përpara.
Kujtojmë se në vitin 2020 Lëvizja VETËVENDOSJE! pati votuar për buxhetin e vitit 2021 edhe pasi Gjykata Kushtetuese e pati rrëzuar, shpallur jokushtetuese Qeverinë Hoti dhe vendi po shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

