Mbyllet samiti i liderëve të G20-ës, Afrika e Jugut ia dorëzon presidencën SHBA-së në mungesë
STAMBOLL (AA) – Samiti i G20-ës në Johanesburg përfundoi sot, ndërsa Afrika e Jugut ia dorëzoi presidencën e radhës SHBA-së, e cila nuk mori pjesë në takim, transmeton Anadolu.
Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, e mbylli zyrtarisht samitin e G20-ës, duke ia dorëzuar presidencën SHBA-së, ku, siç tha ai, “do të shihemi përsëri vitin e ardhshëm”.
Ai tha se Afrika e Jugut e përdori presidencën e saj në G20 për të vendosur prioritetet e Afrikës dhe të Jugut Global në qendër të agjendës, duke u mbështetur në fokusin zhvillimor të presidencave të mëparshme në Indonezi, Indi dhe Brazil.
Ramaphosa tha se Afrika e Jugut është “me të vërtetë e nderuar dhe e përulur” që e priti G20-ën, hera e parë që samiti është mbajtur në tokën afrikane, duke e përshkruar rastin si të rëndësishëm jo vetëm për jugafrikanët, por për të gjithë afrikanët.
“Duke njohur rëndësinë e këtij momenti historik, ne kemi kërkuar të vendosim interesat e rritjes dhe zhvillimit të Afrikës në zemër të agjendës së G20-ës”, tha ai, duke shtuar se “mundësia më e madhe për prosperitet në shekullin XXI qëndron në Afrikë”.
Lideri i Afrikës së Jugut tha se shfrytëzimi i kësaj mundësie do të varet nga partneritete të forta mes Afrikës dhe G20-ës, si dhe me botën më të gjerë, dhe theksoi ndërlidhjen e kombeve.
Ai tha se deklarata e samitit shkon përtej fjalëve, duke u zotuar për veprime konkrete të dobishme për njerëzit në mbarë botën dhe duke treguar vlerën e forumit në lehtësimin e veprimit të përbashkët mbi çështje me interes të përbashkët.
Liderët të shtunën u zotuan në deklaratë të punojnë për paqe të “drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme” në Sudan, Republikën Demokratike të Kongos, territoret palestineze dhe Ukrainë, duke dënuar terrorizmin në “të gjitha format dhe manifestimet e tij”.
– Mungesa e SHBA-së në samitin e liderëve
Samiti filloi të shtunën pa prani të SHBA-së, pavarësisht se vendi është pasardhësi i Afrikës së Jugut në presidencën e G20-ës, gjë që zakonisht kërkon një ceremoni dorëzimi.
Më herët gjatë javës, Ramaphosa tha se mund të ketë një “ndryshim mendjeje” nga ana e SHBA-së dhe se diskutimet ishin duke vazhduar, një pretendim që u mohua menjëherë nga Shtëpia e Bardhë.
Ministri i Jashtëm i Afrikës së Jugut, Ronald Lamola, në një konferencë për shtyp paralel me samitin të shtunën, tha se SHBA-ja dëshironte të kryente dorëzimin përmes të ngarkuarit me punë të ambasadës së saj në Afrikën e Jugut.
Ai shpjegoi se dorëzimi duhet të bëhet në nivel të kreut të shtetit, ose të paktën nga një ministër që “është caktuar zyrtarisht nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
“Kështu që, tani që ata kanë caktuar një të ngarkuar me punë, ne kemi thënë se DIRCO (Departamenti i Marrëdhënieve dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar) ka zyrtarë të barabartë me të ngarkuarin me punë, prandaj … ne do ta kryejmë dorëzimin… në zyrat e DIRCO-s në çdo kohë duke filluar nga e hëna”, tha ai.
Në fillim të këtij muaji, Trump njoftoi se nuk do të dërgonte asnjë zyrtar amerikan në Johanesburg për takimin, duke akuzuar Afrikën e Jugut për “shkelje të të drejtave të njeriut” kundër popullsisë së bardhë afrikanere – pretendime që qeveria e Afrikës së Jugut i ka hedhur poshtë vazhdimisht si të pabazuara.
Marrëdhëniet mes Washingtonit dhe Pretorias kanë rënë në nivelin më të ulët të tyre për shkak të mospajtimeve si në politikat e jashtme, ashtu edhe në ato të brendshme.

