MaqedoniTop Lajme

Mickoski nga Brukseli: Maqedonia mbetet e vendosur në rrugën drejt BE-së, pavarësisht pengesave

Shpërndaje

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, mori pjesë në Samitin për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, të organizuar nga Euronews në Bruksel, ku foli për rrugëtimin më shumë se 25-vjeçar të vendit drejt integrimit evropian.

Në fjalimin e tij, Mickoski theksoi se edhe pas dy dekadash përpjekjesh, Maqedonia e Veriut ende ndodhet në të njëjtën pikë nisjeje, jo për shkak të mosplotësimit të kritereve të Kopenhagenit, por pavarësisht një sërë kompromisesh të dhimbshme që vendi ka bërë ndër vite.

“Edhe pse i kemi plotësuar shumë kërkesa dhe kemi bërë ndryshime të mëdha – në Kushtetutë, në emrin kushtetues, në flamur dhe në shumë aspekte të tjera – ende nuk kemi arritur aty ku meritojmë. Por bindja jonë mbetet e njëjtë: vendi i Maqedonisë është në Bashkimin Evropian,” deklaroi Mickoski.

Kryeministri theksoi se qeveria do të vazhdojë kursin evropian, por paralelisht do të përqendrohet në forcimin e brendshëm të shtetit.

“Përpara se gjithash, duhet t’i bëjmë detyrat tona të shtëpisë – të sigurojmë standard më të lartë jetese, ekonomi më të fortë dhe perspektiva të qëndrueshme për qytetarët tanë,” shtoi ai.

Samiti për Zgjerimin e BE-së mblodhi në Bruksel liderë nga rajoni dhe përfaqësues të institucioneve evropiane, për të diskutuar sfidat dhe mundësitë e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.