Miliarder, por i “pastrehë”/ Çfarë bën Elon Musk me të gjitha paratë e tij?
Ndërsa aksionerët e Tesla-s miratuan një paketë të re shpërblimi prej 1 trilion dollarësh për Elon Musk, nëse arrin objektiva të caktuar brenda 10 viteve të ardhshme, njeriu më i pasur në botë thotë se jeton në një shtëpi prej 50.000 dollarësh në Teksas.
Pavarësisht pasurisë personale që ka tejkaluar çdo rekord historik, Elon Musk këmbëngul se rutina e tij ditore është larg imazhit të një miliarderi tradicional.
Në vitin 2021 ai zbuloi se jeton në një shtëpi të vogël të prefabricuar me vlerë 50.000 dollarë, pranë instalimeve të SpaceX në jug të Teksasit.
“Është disi e mrekullueshme”, kishte thënë atëherë, duke shpjeguar se nuk i nevojitet asgjë më shumë.
Ish-e dashura e tij, Grimes, me të cilën ka dy fëmijë, i kishte thënë Vanity Fair në 2022 se “nuk jeton si miliarder”. “Ndonjëherë jeton nën kufirin e varfërisë”, kishte thënë ajo, duke zbuluar se kishte refuzuar të blinte një dyshek të ri edhe pse i vjetri kishte vrimë.
Kjo, sigurisht, nuk do të thotë se Musk nuk ka bërë investimet e veta. Në 2019, Wall Street Journal zbuloi se zotëronte shtatë rezidenca luksoze me vlerë 100 milionë dollarë në lagjen Bel-Air të Kalifornisë, mes të cilave edhe ish-vila e Gene Wilder, Willy Wonka-s legjendar.
Pronat kishin pishina, fusha tenisi, kantina vere dhe salla vallëzimi.
Megjithatë, në 2020 Musk njoftoi në Tëitter se do të shiste “pothuajse gjithçka që zotëron” dhe se nuk do të kishte më shtëpi, duke deklaruar: “I përkushtohem Marsit dhe Tokës. Pronat materiale të rëndojnë”.
Kushti i vetëm ishte që vila e Wilder “të mos humbiste shpirtin”. Në fakt, ia shiti nipit të aktorit, Jordan Walker-Pearlman, por në qershor 2025 e rimori, pasi ky i fundit nuk arriti të shlyente kredinë.
Që atëherë, Musk thotë se nuk ka banesë të përhershme dhe fle ku e presin miqtë.
“Rri në shtëpitë e miqve. Kur udhëtoj në Kaliforni, fle në divane dhe dhoma rezervë”, tha në 2022 në një intervistë për TED. Ish-CEO i Google, Larry Page, kishte thënë qysh në 2015 se Musk është “pa shtëpi”, pasi i dërgonte email duke pyetur nëse mund të kalonte natën te shtëpia e tij.
Edhe pse Musk nuk shpenzon për pasuri të paluajtshme, ka dobësi për makinat – sidomos ato të rralla. Në koleksionin e tij gjenden Ford Model T legjendar, një Jaguar E-Type i 1967-ës dhe një McLaren F1 i 1997-ës, që e përplasi dhe më pas e riparoi me kosto të lartë. Posedimi më i famshëm është Tesla Roadster që lëshoi në hapësirë në 2018.
Ndër blerjet më të çuditshme është Lotus Esprit e 1976-ës që drejtonte James Bond në filmin “The Spy Who Loved Me”. Makina, që në film shndërrohet në nëndetëse, u ble nga Musk në ankand në 2013 për gati 1 milion dollarë – me qëllim, siç tha, ta bënte vërtet funksionale si nëndetëse.
Avionë privatë dhe orë të pafundme pune Musk pranon se i vetmi “pasioni luksoz” janë avionët e tij privatë, kryesisht modele Gulfstream me vlerë dhjetëra milionë dollarë. Siç shpjegon: “Nëse nuk përdor avionin, kam më pak orë për punë”. Me to lëviz mes instalimeve të Tesla-s dhe SpaceX në SHBA, por edhe në destinacione ndërkombëtare.
Pavarësisht kritikave për sjelljen, Musk ka dhuruar miliarda dollarë në aksione përmes fondacionit të tij, Musk Foundation. Megjithatë, sipas Neë York Times, veprimtaria konsiderohet “jo konsistente dhe pjesërisht vetjake”, pasi shumë dhurime lidhen me bizneset e tij dhe lehtësira tatimore.
Vetë ai e sheh bamirësinë ndryshe: “Nëse bamirësia është dashuri për njerëzimin, atëherë bizneset e mia janë bamirësi”, deklaroi në 2022. “Tesla përshpejton energjinë e qëndrueshme, SpaceX siguron mbijetesën afatgjatë të njerëzimit, Neuralink përpiqet të shërojë dëmtimet cerebrale”.
Elon Musk, njeriu që mund të blinte një vilë të re çdo ditë për 250 vitet e ardhshme, vazhdon të projektojë imazhin e një miliarderi “jo konformist” që fle në divane dhe ëndërron Marsin. Për disa është vizionar; për kritikët, një magnat i paparashikueshëm.
Në çdo rast, askush nuk mund të mohojë se jeta e tij është po aq paradoksale sa filozofia e tij: “Pronësia të rëndojnë, por inovacioni të çliron”.

