BotaTop Lajme

Palestina mirëpret rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gazën

Shpërndaje

Palestina mirëpriti miratimin e rezolutës nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së të hartuar nga SHBA-ja që autorizon një Bord Paqeje dhe një Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme në llogarinë e platformës së mediave sociale të kompanisë amerikane X, Palestina e konsideroi rezolutën një pohim të “vendosjes së një armëpushimi të përhershëm dhe gjithëpërfshirës në Rripin e Gazës, ofrimit të papenguar të ndihmës humanitare dhe të drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje dhe krijimin e shtetit të tyre të pavarur”.

Ajo shprehu vlerësim për “të gjitha vendet që shprehën gatishmërinë e tyre për të punuar me shtetin e Palestinës dhe palët përkatëse për të mbështetur përpjekjet palestineze drejt përfundimit të pushtimit dhe arritjes së lirisë dhe pavarësisë”.

Palestina vë në dukje gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me të gjitha palët përkatëse, përfshirë SHBA-në, anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe shtetet arabe dhe islamike, për të mbështetur zbatimin e rezolutës dhe bëri thirrje për veprime të menjëhershme për ta vënë atë në fuqi për t’i dhënë fund vuajtjeve të popullit palestinez në Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi të hënën një rezolutë të hartuar nga SHBA-ja, e cila përcakton formimin e Bordit të Paqes dhe autorizimin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit për të mbikëqyrur qeverisjen, rindërtimin dhe përpjekjet e sigurisë në Rripin e Gazës.

Drafti i SHBA-së erdhi si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi dhe shkëmbimi pengjesh midis Izraelit dhe Hamasit që hyri në fuqi në Rripin e Gazës më 10 tetor bazuar në një plan prej 20 pikash të paraqitur nga presidenti amerikan Donald Trump.

Faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit përfshin lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë. Plani parashikon rindërtimin e Rripit të Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa grupin palestinez Hamas.

Që nga tetori i vitit 2023, më shumë se 69 mijë palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe mbi 170.700 të tjerë janë plagosur në luftën gjenocidale të Izraelit që e ktheu enklavën në rrënoja.