“Po të isha tradhtar, nuk do të kishte veto”! Zaev pohon se ka zgjidhje të pranueshme për të dyja palët

Shpërndaje

Kryeministri Zoran Zaev në intervistë për TV21 thotë se nuk ndihet fajtor për veton nga Bullgaria, e as tradhtar, siç e akuzon opozita. Siç thotë ai, po të isha tradhtar, nuk do të kishte veto.

“Duke pasur parasysh se ai, Mickoski më akuzon mua se unë jam fajtor për veton e Bullgarisë, dhe njëkohësisht më akuzon se jam tradhtar i gjuhës dhe popullit maqedonas, kjo është e kushtëzuar me diçka tjetër. Jo vetëm që është kontradiktore, por është e kushtëzuar me diçka tjetër. Po të isha tradhtar, vetoja do të hiqej. Nëse ende kemi veto, kjo do të thotë se i mbrojmë interesat nacionale. Po të kishte tradhti, vetoja do të hiqej”, deklaroi kryeministri Zaev.

Fakti që përfaqësuesit e Bullgarisë nuk morën pjesë në Forumin e Prespës për Dialog, edhe pse u ishte dërguar ftesë, sipas Zaevit është mesazh i mirë. Ai thotë se ata i kemi miq, duke mos zbuluar për çfarë bëhet fjalë, megjithatë porositi se ka zgjidhje që janë të pranueshme për të dyja palët.

“Unë mund të them se me Bullgarinë kemi arritur zgjidhje që janë të pranueshme për të dyja palët. Dua të besoj se edhe kësaj here nuk morëm dritë jeshile për shkak se ata nuk kanë Parlament e as Qeveri. Për shkak se e di se ku qëndrojnë shqetësimet e Bullgarisë”, u shpreh Zoran Zaev – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Për dallim nga Bullgaria, Greqia kishte përfaqësues të vet në Forumin e Prespës për dialog. Mori pjesë ish-kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras. Gjatë mandatit të tij është nënshkruar Marrëveshja e Prespës. Cipras në intervistë për TV21 tha se ndihet i zhgënjyer dhe se nuk ka pritur zhvillim të këtillë të ngjarjeve pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës.

“Së pari, jam shumë i zhgënjyer nga zhvillimi i ngjarjeve dhe më duhet të them se i kuptoj ndjenjat e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që kanë bërë ndryshime të rëndësishme, ndryshimin e Kushtetutës dhe emrit kushtetues”, potencoi ish-kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras.

Sipas Ciprasit, Marrëveshja e Prespës është e rëndësishme jo vetëm për Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe për paqen, prosperitetin dhe bashkëpunimin e gjithë Ballkanit. Duke dashur të besojë se kjo shtyrje është e përkohshme, ai i porositi Bullgarisë:

“Në kornizën e familjes evropiane, nuk mund të vazhdojë me mohim, por duke krijuar lidhje”, shtoi Cipras.

Marrëveshja e Prespës, Marrëveshja e Ohrit dhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, sipas Zaevit na bëjnë vend evropian i cili e di se ku do që të arrijë dhe se çfarë duhet të kalojë. Gjithashtu ky është imazh për një popull të cilit i është bërë padrejtësi në rrugën drejt BE-së. Në Forumin e Prespës morën pjesë përfaqësues të SHBA-ve dhe BE-së të cilët i dhanë përkrahje të madhe Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Pothuajse të gjithë thanë se këto dy vende e kanë merituar fillimin e negociatave dhe konferencën e parë ndërqeveritare, andaj kërkuan që BE-ja të gjejë mënyrë për ta mundësuar këtë.