RajoniTop Lajme

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e BE-së, Aivo Orav dhe pranoi Raportin për Kosovën 2025 nga Komisioni Evropian

Shpërndaje

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadorin Aivo Orav, i cili i dorëzoi Raportin për Kosovën 2025 të Komisionit Evropian.

Gjatë takimit u diskutua mbi gjetjet e raportit, i cili vlerëson pozitivisht progresin e Kosovës në disa fusha, por njëkohësisht evidenton edhe sfidat që mbeten për t’u adresuar. Presidentja Osmani theksoi se këto gjetje duhet të trajtohen me prioritet, me qëllim që Kosova të vazhdojë me hapa të vendosur dhe në ballë të reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ajo falënderoi Ambasadorin Orav për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, duke ritheksuar përkushtimin e palëkundur të popullit të Kosovës për integrim në familjen evropiane. Presidentja theksoi se ky proces kontribuon jo vetëm në prosperitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, por edhe në paqen dhe sigurinë afatgjatë në rajon e më gjerë.