Maqedoni

Shumica parlamentare kërkon Komision Anketues për të gjitha tragjeditë e pazgjidhura deri tani

Shpërndaje

Shumica parlamentare dorëzoi iniciativë në Komisionin Anketues në Kuvend, ku përveç që do të hapet çështja e zjarrit në klubin Puls në Koçan, anëtarët e komisionit do të kërkojnë përgjigje edhe për të gjitha tragjeditë e pazbardhura deri tani. Deputeti Bojan Stojanoski nga VMRO DPMNE shpjegoi se komisioni do të ketë 15 anëtarë dhe zëvendësit e tyre, ndërsa kryetari do të zgjidhet nga radhët e opozitës.

“Komisioni Anketues do të ketë për qëllim përcaktimin e përgjegjësisë së funksionarëve, bartësve të funksioneve publike dhe personave të tjerë të përfshirë, si dhe të sqarojë rrethanat e veprimeve të Institucioneve për tragjeditë dhe aksidentet e mëposhtme: zjarri në objektin e klubit të natës në Koçan, zjarri në spitalin modular në Tetovë, aksidenti rrugor i Durmo Turs në Llaskarcë dhe aksidenti rrugor i Besa Trans në Bullgari, duke respektuar kështu parimin e pa selektivitetit për të gjitha tragjeditë që kanë ndodhur deri më tani”, deklaroi Bojan Stojanoski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë, të premten një iniciativë të ngjashme në Kuvend, por vetëm për tragjedinë në Koçan, e paraqitën deputetët e LSDM-së dhe të Majtës por kreu i Kuvendit, Afrim Gashi tha se ajo është kthyer për përmirësim. Gashi theksoi se LSDM dhe E Majta gjatë paraqitjes së propozimit, kishin kërkuar që shumica në komision t’i përkiste opozitës, gjë që sipas tij është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.

“Iniciativa e LSDM-së dhe e Levicës nuk është e rregulluar në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Neni 3 i iniciativës është në kundërshtim me nenin 124 të Rregullores së Kuvendit. Ata kërkojnë shumicë në komisionin anketues, mirëpo këtë nuk e lejon rregullorja. Kjo rregullohet sipas numrit të deputetëve të partive politike, ndërsa kryetari do të jetë nga radhët e opozitës. Iniciativa është kthyer për përmirësim”, tha Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.

As në iniciativën e kthyer, as në atë të re të paraqitur nga pushteti nuk përmendet emri i partisë politike BDI, por nga aty sot thanë shkurt se nuk kanë asgjë kundër formimit të një komisioni të tillë në Kuvend, megjithëse shtojnë se nuk janë të njoftuar me atë.

“Për këtë po informohem nga ju sot, do të shohim, do të diskutojmë, por ne gjithmonë kemi shprehur qëndrimin tonë, se jemi për një iniciativë që do të përfshijë të gjitha, dmth aksidentet deri tani”, u shpreh Rina Ajdari, deputete e BDI-së.

Çështja e Komisionit Anketues në Kuvend për zjarrin në Koçan, ku më 16 mars humbën jetën 63 persona dhe rreth 200 u lënduan, u bë e domosdoshme pasi prindërit e viktimave në një protestë para Kuvendit para rreth dhjetë ditësh kërkuan që Kuvendi të hapë hetim. Ndërkohë, ka filluar edhe procesi gjyqësor për zjarrin në Koçan, dhe seanca e radhës është caktuar për nesër, kur mbrojtja do të ketë fjalën e saj hyrëse. /Alsat.mk