Kovaçevski – Von der Leyen: Është koha për vendime të mençura, gjuha maqedonase dhe identiteti në BE janë të mbrojtura

Shpërndaje

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot zhvilloi takim kokë më kokë me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen.

Kovaçevski dhe Von der Leyen në takim kanë biseduar për çështjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me zgjerimin e Bashkimit Evropian. U konstatua se tani është momenti që Maqedonia e Veriut duhet ta shfrytëzojë për të pranuar propozimin evropian, që nënkupton edhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Ajo që u vu në dukje nga kryetarja e Komisionit Evropian, Von der Leyen, është se vendi i Maqedonisë së Veriut dhe Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe kjo është e vetmja rrugë që të çon drejt një të ardhmeje më të mirë për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Kovaçevski dhe Von der Leyen theksuan edhe një herë se propozimi evropian në asnjë mënyrë nuk kërcënon identitetin, kulturën, historinë dhe gjuhën maqedonase.

Në takim u diskutua se në kontekstin e rrethanave të reja gjeopolitike, zhbllokimi i procesit të integrimit evropian dhe fillimi i negociatave për anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian është shumë domethënës, i cili është i rëndësishëm për ecurinë e përgjithshme të Maqedonisë së Veriut.

Në takim u theksua se vendimet e marra tani garantojnë të ardhmen e vendit, prandaj nevojiten lëvizje të mençura dhe burrërore që të çojnë në prosperitet, zhvillim të vlerave demokratike dhe përparim të përgjithshëm ekonomik.