Trump tërhiqet nga tarifat doganore, pasi çmimet e ushqimeve “fluturuan” në SHBA
Në Shtetet e Bashkuara, çmimi i mishit të viçit, i cili është rritur mesatarisht me 14.7%, ka çuar në rritje të ndjeshme të çmimit të hamburgerëve që janë aq shumë të preferuar për amerikanët.
Një tufë bananesh është shtrenjtuar me 6.9% që nga shtatori i vitit 2024, ndërsa pluhuri i kafesë ka pësuar një rritje prej 18.9%, veçanërisht që nga vera e kaluar.
Tarifat doganore të vendosura nga presidenti Donald Trump kanë pasur efekt bumerang për shportën e konsumit të shtresave të mesme dhe të ulëta në SHBA. Për këtë arsye, presidenti amerikan ka bërë një hap pas, duke hequr tarifat që vetë kishte vendosur. Rreth 200 produkte ushqimore, që më parë kishin tarifa të paktën 10%, do të lirohen nga këto taksa.
Produktet më të rëndësishme janë përmendur në një “fletë informuese” të shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë më 14 nëntor. Ato përfshijnë: kafe dhe çaj, fruta tropikale dhe lëngje frutash, kakao dhe erëza, banane, portokaj dhe domate, si dhe mish viçi dhe plehra “shtesë”.
Brazili në pritje
Corriere della Sera shkruan se sipas kompanisë Coldiretti, asnjë produkt tipik italian nuk përfitoi nga ky vendim. Pra, asnjë lehtësim për Italinë nga “pendesa” e Trump-it. Megjithatë, Cristina Scocchia, drejtoreshë e Illycaffè, e mirëpriti këtë “sinjal qetësues” dhe konfirmoi planin për “prodhim lokal” në SHBA. Ndërkohë, Brazili, që është edhe furnizuesi kryesor i SHBA-ve i mishit dhe kafesë, mbetet në pritje, pasi tarifa e tij e lartë doganore u ul nga 50% në 40%, një ulje që nuk mjafton për të festuar.
Ekspertët e administratës amerikane, gjatë vendosjes së tarifave, duket se kanë nënvlerësuar faktorët që më pas çuan në rritjen e çmimeve të shumë produkteve, përtej një inflacioni prej 3%. Trump, për shembull, ka gabuar me bananet, fruti i freskët më i dashur për amerikanët, të cilët konsumojnë mesatarisht 12 kg për person në vit, ose një banane çdo tre ditë.
Ky frut importohet pothuajse tërësisht nga jashtë (41% nga Guatemala). SHBA-të nuk kanë mundësi të zgjerojnë menjëherë prodhimin e brendshëm në Hawaii dhe Florida. Gjithashtu, importuesit nuk mundën të blinin sasi të mëdha bananesh nga Guatemala, Ecuador, Costa Rica apo Honduras përpara se të hynin në fuqi tarifat, pasi bananet nuk ruhen gjatë. Kjo është arsyeja pse “ari i verdhë” i bananeve u shtrenjtua ndjeshëm, duke zemëruar konsumatorët amerikanë.
Vala blu
Pakënaqësia ndaj rritjes së kostos së jetesës u shfaq në formën e “valës blu” që më 4 nëntor i dha fitoren kandidateve demokrate për guvernatore në New Jersey dhe Virginia (Abigail Spanberger dhe Mikie Sherrill).
Në këtë klimë, presidenti Trump është etiketuar sërish me nofkën “Taco”, një akronim për “Trump Always Chickens Out” (Trump gjithmonë tërhiqet). Një nofkë që i është ngjitur për shkak të tërheqjeve të përsëritura, përfshirë edhe ato mbi tarifat doganore.

