Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Veliajn, reagon Rama: U provua që s’i kam kapur unë të tëra pushtetet, kryebashkiaku të vijojë gjyqin në gjendje të lirë
Pa u mbushur ende 24 orë nga vendimi Gjykatës Kushtetuese në favor të Erion Veliajt, kryeministri Edi Rama bazuar në këtë vendim kërkon lirimin e tij nga paraburgimi.
‘Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet dhe kjo është një gjë sa e qartë, aq edhe e mirë apo jo?’- kështu e nis kryeministri Edi Rama komentin në platformën X për atë që e quan, disa rrjedhime logjike nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027-ën dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, po edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo?”
Kryeministri ngulmon në nevojën e lirimit të Erion Veliajt duke dhënë këtë argument.
“Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë apo jo”.
Ndërsa për disa prej pikave në vendimin e kushtetues 5 me 3 në favor të kthimit në detyrë të zotit Veliaj, Edi Rama thotë.
“Pika 1 dhe 2 janë të sigurta, pika 3 mbetet për t’u parë, ndërkohë le të urojmë që kushdo ka në dorë ta ndihmojë zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, të kujtohet se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim, për vite me radhë”.
Kërkesa e Edi Ramës për lirimin e Erion Veliaj vjen si rrjedhojë e vendimit të kushtetues që e ktheu atë në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, por edhe përpara datës 12 nëntor kur GJKKO do të zhvillojë seancën paraprake pasi SPAK mbylli hetimet dhe çoj dosjen për gjykim.

