Ambasadori holandez në Shkup: Ku janë paratë që ju dhamë për reforma?

Shpërndaje

Ambasadori holandez në Shkup, Dirk Jan Kopp sot bëri kritika serioze se në Maqedoninë e Veriut nuk ka vullnet të vërtetë politik për ndryshim dhe reforma, përcjell INA.

Ai tha se justifikimet po grumbullohen, ndërsa reformat po ngecin dhe se gjithçka ka ngecur për shkak të mungesës së zbatimit, korrupsionit dhe nepotizmit.

“Çfarë jeni duke bërë veçse duke bërë justifikime për përmbushjen e kërkesave të anëtarësimit. Pse nuk i përfunduat reformat tuaja 15 vjet më parë si këto vende të tjera? Dëgjoj se është faji i Bashkimit Evropian që anëtarësimi është një përgjegjësi e përbashkët dhe se po ju mbajmë në pritje për një kohë të gjatë. E vërteta është se anëtarësimi është përgjegjësia juaj dhe ju nuk na mbani në pritje të gjatë. Pas dekadash mbështetje të madhe, ku shkuan paratë e taksapaguesve tanë?”, pyeti ambasadori holandez, Dirk Jan Kopp, duke theksuar se të gjitha vendet e tjera arritën të bëjnë reformat e nevojshme dhe të bëhen anëtarë të BE-së në një periudhë prej 10-15 viteve.

Kopp këto komente i bëri gjatë Konferencës së dytë rajonale të ekspertëve në kuadër të projektit “Le të sundojë drejtësia në rajon”.