RajoniTop Lajme

Vriten dy vëllezër në Malishevë, në arrati dhëndri që dyshohet se shtiu në ta

Shpërndaje

Në Golluboc të Malishevës dy vëllezër u vranë nga dhëndri para dyerve të shtëpisë. I dyshuari iku pasi shtiu në ta. Ndaj dorasit ka aktakuzë aktive për dhunë në familje, të kryer në mars. Ai ndodhet në arrati dhe Policia nuk i ra në gjurmë, me gjithë kontrollet që bënë në fshat
Dy vëllezër, njëri 32 e tjetri 45 vjeç, u vranë të enjten në Golluboc të Malishevës nga dhëndri i tyre.

Dorasi me inicialet A. I. ka ikur, por në vendngjarje ka lënë armën me të cilën dyshohet se kreu vrasjen e dyfishtë.

Të afërm të viktimave treguan se i dyshuari ka ardhur ta marrë bashkëshorten, motrën e dy viktimave, e cila po qëndronte te familja pasi disa ditë më parë i vdiq babai.

Në të dalë nga shtëpia, jashtë dyerve të oborrit ka nisur konflikti mes dhëndrit dhe vëllezërve, ndaj të cilëve shtiu me armë dhe i la të vdekur.

Doktori i Urgjencës në Malishevë, Festim Sylejmani, që shkoi në Kijevë për ekzaminim, tha se të dy viktimat u qëlluan në pjesën e kraharorit me nga dy plumba.

“Pacientin e kam parë dhe e kam ekzaminuar, por s’ka pasur shenja jete hiç. Bebëzat i ka pasur të zgjeruara komplet dhe parametrat vitalë i ka pasur zero. Ka pasur dy plumba në gjoks, i kemi edhe raportin dhe fotografitë”, ka treguar Sylejmani. “Pacienti tjetër në Kijevë, pasi ata i kam gjetur aty dhe kam shkuar si mjek i urgjencës prej Malishevës në Kijevë, ka pasur po ashtu dy plagë. Njërën e ka pasur në gjoks dhe tjetrën në anën e djathtë. Kur kam mbërritur, të dy kanë qenë pa shenja jete”.

Në vendin e ngjarjes mbetën dy vetura. Ajo me targa të Shkupit i përket dorasit.

Policia bashkë me Prokurorinë mblodhën provat në vendin e krimit.

E, për ta kapur dorasin, përveç kontrolleve në pikat e hyrje-daljeve të fshatit, kërkim u bë edhe në pyll.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, doli në vendin e ngjarjes. Ai nuk u përgjigj nëse i dyshuari u arratis në këmbë.

Gashi tha se organet e rendit dhe hetuesisë janë duke punuar që sa më shpejt ta kapin.

“Kryerësi i kësaj vepre penale është ende në arrati dhe policia bashkë me prokurorinë është duke ndërmarrë të gjitha masat që sa më shpejt të identifikohet dhe të sigurohet prezenca e tij”, ka thënë kryeprokurori Gashi.

Ndaj të dyshuarit Prokuroria Themelore e Gjakovës inicioi rastin për dy vepra penale.

“Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast për shkak të veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje nën pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

I dyshuari nuk ishte i panjohur për Prokurorinë. Ndaj tij një aktakuzë është aktive, të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë edhe për dy vepra të tjera, dhunë në familje dhe kanosje.