RajoniTop Lajme

Berisha-demokratëve në Kurbin: Ngrihuni ta rrëzojmë këtë regjim!

Shpërndaje

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shkuar këtë të shtunë për të takuar demokratët në Kurbin.

Turi i foltores nisi në orën 18:00, ndërsa Berisha vijoi me akuzat në drejtim të zv.kryeministres Belinda Balluku dhe kreut të qeverisë, Edi Rama.

“Imagjinoni ju, të dashur miq, se çfarë peshe të rëndë patën mbi njerëzit, mbi shqiptarët, hajdutët miliarderë, me në krye Edi Ramën. Një dosje e parë u hetua për një ministre, zv/kryeministre, dhe në shfletimet e para del se ajo dispononte 300 apartamente. As ju, as unë nuk e mirrni me mend se ajo mund të dispononte 300 apartamente. Ajo pra, me paratë tuaja, me taksat tuaja, me paratë e shkollave të fëmijëve tuaj, me taksat e kafshatës gojës, me ilaçet e të sëmurëve tuaj, duke ndarë taksat me ndërtuesit e veprave publike, kishte siguruar për vete 300 apartamente“, deklaroi kryedemokrati.

“Dhe ju garantoj, këtu do jemi, nuk është lista e plotë. Kemi dëgjuar për diktatorë, për hajdutë, për bizhura, diamante…“, shtoi më tej.

U bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen për ta rrëzuar qeverinë aktuale, së cilës i ka vënë emrin “regjim”.

“Është koha e guximit tonë, ta përmbysim këtë diktaturë”, ishte thirrja e tij.

“Ne kemi përmbysur një diktaturë 35 vite më parë dhe absolutisht do ta përmbysim këtë në mënyrën më të fuqishme, më të vendosur, më të shpejtë”, përfundoi kreu i partisë më të madhe opozitare në vend.