MaqedoniTop Lajme

Gjobat nga sistemi “Safe City” për shkeljet në komunikacion do të fillojnë të zbatohen nga 1 shkurti

Shpërndaje

Gjobat nga sistemi “Safe City” për shkeljet në komunikacion do të fillojnë të zbatohen nga 1 shkurti, e jo nga 1 janari siç ishte paralajmëruar fillimisht. Sipas ndihmësministrit të Punëve të Brendshme, Muhamed Ismaili, ky vendim është marrë me qëllim që Ministria e Punëve të Brendshme të ketë më shumë kohë për të shqyrtuar të gjitha vërejtjet dhe për të eliminuar defektet e evidentuara gjatë periudhës së testimit.

“Mund të them lirisht se data kur po planifikojmë që të filloje sistemi “Safe City” ashtu siç e kemi paramenduar do të jetë një shkurti për shkak se po vlerësojmë në ministri se një janari nuk është kohë e mjaftueshme për ti parë të gjitha vërejtjet dhe defektet dhe për t’i anashkaluar ato. Pra është prolonguar për një muaj periudha e testimit? Po, mund të themi. Po”, tha Muhamed Ismaili – Ndihmësministër i Punëve të Brendshme.

Në intervistën për Alsat, i pyetur nëse personat që kanë raste emergjente, si situatat kur ndizen katër dritat sinjalizuese për të shkuar në spital apo për raste të tjera urgjente, do të përjashtohen nga gjobat ose jo, ndihmësministri i Punëve të Brendshme, Muhamed Ismaili, theksoi se në situata të tilla, tolerime mund të ketë vetëm mbi bazën e provave.

“Ndezja e sinjaleve nuk do të thotë se të lejon që të përjashtosh rregullat e komunikacionit, kuptohet se qytetarët të cilët kanë raste emergjente në procedura më pas do të mund që të njëjtën ta vërtetojnë dhe do të jenë të lejuar nëse kanë prova por kjo nuk do të thotë se nëse nguteni dhe keni rast emergjent automatikisht sistemi do të ju largoje nga dënimi. Faktikisht dënimi do të vije por a ka mekanizma për tolerim? Do vije dënimi dhe më pas në qoftë se qytetari e vërteton se ka pas rast emergjent që e justifikon shpejtësinë, sigurisht që instancat e shkallës së dytë do e marrin parasysh dhe do e lejojnë”, tha Muhamed Ismaili – Ndihmësministër i Punëve të Brendshme.

Sipas Ismailit, menjëherë pas vënies në funksionim të testimit të sistemit Safe City, nëse në ditën e parë ka pasur mbi 100 mijë shkelje për 24 orë, është vërejtur se shkeljet në komunikacion janë ulur ndjeshëm në krahasim me ditën e parë. Sa i përket tolerancës së shkeljeve, ku kishte raste që qytetarët kanë pranuar porosi nga sistemi edhe nëse e kanë kaluar vetëm 1 kilometër në orë në zona ku është e lejuar 50 kilometra në orë, Ismaili theksoi se do të shqyrtohet mundësia e praktikave të disa shteteve evropiane ku ka tolerancë për shpejtësi në një përqindje të caktuar por se sa do të jetë përqindja e tolerancës, sipas tij, pritet të diskutohet dhe të merret një vendim në të ardhmen./Alsat/