BotaTop Lajme

Kolonët e paligjshëm izraelitë sulmojnë aktivistë dhe vullnetarë të huaj në Bregun Perëndimor të pushtuar

Shpërndaje

Kolonët e paligjshëm izraelitë sulmuan aktivistë dhe vullnetarë të huaj të enjten herët në komunitetin beduin të Shallal al-Auja, në veri të Jerichos në Bregun Perëndimor lindor, transmeton Anadolu.

Një grup kolonësh të paligjshëm nga postblloqet e afërta bastisën komunitetin dhe sulmuan aktivistët dhe mbështetësit ndërkombëtarë që ishin atje për të ndihmuar në mbrojtjen e banorëve palestinezë, tha për agjencinë zyrtare të lajmeve Wafa, Hassan Mleihat, drejtori i grupit të të drejtave të beduinëve Al-Baydar.

Ai tha se aktivistët dhe banorët e paarmatosur u përballën me kolonët e paligjshëm dhe i detyruan ata të iknin. Wafa nuk specifikoi kombësitë e vullnetarëve të huaj.

Sipas Komisionit të Kolonizimit dhe Rezistencës ndaj Murit, një organ zyrtar, kolonët e paligjshëm izraelitë kanë kryer 621 sulme kundër palestinezëve dhe pronës së tyre në Bregun Perëndimor të pushtuar vetëm në nëntor.

Më shumë se 1.087 palestinezë janë vrarë dhe 10.700 të tjerë janë plagosur në sulmet e ushtrisë dhe kolonëve të paligjshëm izraelitë në territorin e pushtuar që nga tetori 2023. Mbi 20.500 njerëz janë arrestuar gjithashtu.

Në një vendim historik në korrik të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.