Pesë të mitur dyshohen për dhunë në oborrin e shkollës në Saraj, Prokuroria kërkon që tu caktohet masa kujdesi
Prokuroria Themelore Publike e Shkupit i ka dorëzuar gjyqtarit për të mitur pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup kërkesë për nisjen e procedurës përgatitore kundër pesë fëmijëve në konflikt me ligjin, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale dhunë sipas nenit 386 të Kodit Penal.
Rasti ka të bëjë me një grup të miturish, të moshës 14 dhe 15 vjeç, të cilët së bashku me edhe një fëmijë nën 14 vjeç (i cili nuk mund të mbajë përgjegjësi penale), kanë ushtruar dhunë të rëndë ndaj dy fëmijëve të tjerë 14-vjeçarë.
Ngjarja ka ndodhur më 12 dhjetor, në oborrin e shkollës fillore “Diturija” në Komunën e Sarajit. Sipas njoftimit të Prokurorisë Publike, dy fëmijët po ktheheshin për në shtëpi kur, në dalje të oborrit të shkollës, u penguan nga sulmuesit.
Grupi ka filluar t’i godasë fëmijët me grushte dhe shkelma në kokë dhe trup. Njëri fëmijë ka pësuar plagë sipërfaqësore në kokë, ndërsa fëmija tjetër ka marrë lëndime të rënda trupore, përfshirë kontuzion në kokë, thyerje të hundës dhe hematoma në të gjithë trupin.
Prokuroria thekson se me këtë dhunë, kryesit kanë shkaktuar edhe ndjenjë pasigurie dhe frike te fëmijët e tjerë që në atë moment po dilnin nga shkolla.
Duke pasur parasysh moshën e fëmijëve në konflikt me ligjin dhe nevojën për zhvillim të papenguar të procedurës, prokurori publik i ka propozuar gjyqtarit që të caktohen masa kujdesi, përfshirë paraqitje të rregullt në gjykatë, marrje të dokumentit të udhëtimit dhe ndalim të afrimit dhe të çdo kontakti me fëmijët e dëmtuar.

