Mitrevski sot shpall zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare

Shpërndaje

Kreu i Kuvendit Jovan Mitrevski sot në orët e pasditës do të firmosë dekretin për shpalljen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Meqë zgjedhjet janë të rregullta, Kuvendi nuk shpërndahet dhe do të vazhdojë me punë deri në fillim të muajit prill, kur edhe zyrtarisht do të fillojë fushata zgjedhore. Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill kurse rrethi i dytë dhe zgjedhjet parlamentare më 8 maj.

Partitë politike kanë filluar të numërojnë në gishta ditët e fundit përpara zyrtarizimin të kandidatëve të tyre për president. LSDM-ja do të japë emrin final të të përzgjedhurit të saj deri në fund të muajit kurse gjasat janë reale për një rikandidim të presidentit Stevo Pendarovski. Ndër emrat tjerë që përfliten janë edhe ai i ish ministrit të Brendshëm Oliver Spasovski dhe i sekretarit të Përgjithshëm Mile Zeqeviq. Kandidati i tyre do të ketë mbështetjen edhe të partive të tjera të pushtetit.

“Vendimi do të sillet për rreth 5 deri 10 ditë nga sot”, deklaroi Stevo Pendarovski, President.

VMRO-DPMNE-ja do të konkretizojë emrin me të cilin do të garojë në Konventën e partisë më 2 mars. Gordana Siljanovska Davkova dhe Aleksandar Spasenovski janë emrat e mundshëm më të përfolur.

“Pres fitore historike të koalicionit të drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja me më shumë se 61 deputetë dhe pres që presidenti i ardhshëm të jetë kandidati që e mbështet VMRO-DPMNE dhe koalicioni”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë opozita shqiptare pritet ta publikojë emrin e kandidatit të tyre e shumta deri të shtunën. Nga atje njoftojnë që kandidati i tyre do të jetë person i denjë edhe për votat e komuniteteve të tjera.

“Sot, kur edhe zyrtarisht po shpallen zgjedhjet presidenciale, dua ta njoftoj opinionin se Lidhja Europiane për Ndryshim tashmë e ka kandidatin e saj për president. Kandidati i Lidhjes do të jetë një emër i respektuar, i cili del përtej kufijve etnikë e politikë, duke qenë një mundësi e rrallë që në Maqedoninë e Veriut për herë të parë të shprehet karakteri multietnik i shtetit”, tha Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.

Sipas përllogaritjeve fillestare, 20 marsi do të jetë afati i fundit për zyrtarizimin e kandidaturave për president. Kurse, sa i takon afateve për listat e kandidatëve për deputetë, afati i fundit jozyrtarisht do të jetë 3 prilli. /Alsat.mk