Protesta para Myftinisë së Tetovës, tregtarët kundërshtojnë mbylljen e “Tregut të Grave”
Pas më shumë se tre dekadash mbyllet “tregu i grave” në Tetovë. Hapësira e njëjtë do të shndërrohet në zonë parkimi fillimisht dhe më pastaj edhe për ndërtim. Ky vendim i Bashkësisë Fetare Islame nxiti reagimin e dhjetëra shitësve ambulantë të cilët protestuan para Myftinisë së Tetovës. Ata kërkojnë afat disa mujor për të shitur mallin e blerë.
“Në kemi dalë këtu të protestojmë sepse kërkojmë prej BFI-së për letrat që na sollën dje që javën e ardhshme ta lëshojmë tregun e grave. Unë nga puna që punoj aty mbaj familjen që prej tredhjet vitesh. Kam paguar 50 euro mujore kurse vetëm katër ditë në muaj kam punuar aty. Edhe shteti po të jep afat dhe të gjen zgjidhje se mbaj familje nga ajo punë dhe jo sot për sot vjen urdhri nesër të dalësh. Ne kërkojmë që në bashkëpunim me kreun e komunës të na gjendet një vend sepse mbajmë familje”, tha një shitës.
“Problemi më i madh është si do jetojmë si do ia bëjmë me punën. Nëse ke njerëz të paaftë për pazarin ndërroj njerëzit e jo pazarxhinjtë se krejt bota kanë pazar. Shumica në atë pazar kemi investuar, kemi ble mall dhe sot të na thuash se e mbyllim është absurde”, tha një tjetër shitës.
“Do shkojmë edhe deri në komunë nëse s’merremi vesh me BFI, do shkojmë te Bilall Kasami që të bëjmë zgjidhje për këtë çështje”, u shpreh një shitës.
Ndryshe nga herët tjera, këtë radhë protestuesit u pranuan nga kreu i BFI-së së Tetovës, dhe iu dha afati i kërkuar.
“Në bashkëbisedim me pronarët e tezgave u morëm vesh që për një afat kohor pra deri në fund të gushtit të punojnë t’i shfrytëzojnë, ndërsa pjesën tjetër që janë jashtë funksionit të largohen nga aty dhe të shfrytëzohet vendi për ndonjë parking apo veprimtari tjetër”, deklaroi Selver Xhemaili, Myfti i Myftinisë së Tetovës.
Deri tek largimi i “tregut të grave” sipas Myftinisë së Tetovës ka ardhur si pasojë e zvogëlimit të numrit të tregtarëve. /Alsat.mk

