MaqedoniTop Lajme

Universiteti i Tetovës e shënoi 31-vjetorin e themelimit – Prof. Dr. Rexhep Meidani u vlerësua me titullin Doctor Honoris Causa

Shpërndaje

Universiteti i Tetovës përmes një akademie solemne e shënoi 31-vjetorin e themelimit të tij – një përvjetor që përfaqëson rrugëtimin institucional të një prej shtyllave më të rëndësishme të arsimit të lartë në vend. Paraprakisht, udhëheqësia e Universitetit dhe stafi administrativ, bënë homazhe para shtatores së themeluesit dhe Rektorit të parë e historik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmani dhe lapidarit “Flakadani i Kujtesës”.

Gjatë këtyre 31 viteve, Universiteti ynë ka formuar breza studentësh, ka ndërtuar ura bashkëpunimi dhe ka kontribuuar në zhvillimin akademik, shoqëror dhe kulturor të vendit tonë. Kjo akademi solemne është një moment reflektimi mbi arritjet e deritanishme, si dhe një orientim i qartë drejt sfidave dhe objektivave të së ardhmes.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli në fjalimin e tij bëri një retrospektivë të ngjarjeve që lamë pas këtë vit. Ai u shpreh se në këtë akademi solemne, nuk jemi mbledhur vetëm për të përmbyllur një vit pune, por edhe për të reflektuar mbi rrugëtimin tonë të përbashkët, për të kuptuar me qartësi se ku qëndrojmë si institucion dhe për të përcaktuar me përgjegjësi drejtimin tonë të ardhshëm. “Universiteti nuk është kalendar ngjarjesh, por një hapësirë ku ndërtohet kuptimi, një vend ku dija merr përgjegjësi dhe ku vizioni shndërrohet në veprim. Gjatë këtij viti kalendarik, Universiteti i Tetovës ka dëshmuar se e kupton dijen jo si grumbull informacioni, por si proces gjykimi kritik, emancipues dhe shoqërisht të angazhuar, të lidhur ngushtë me nevojat reale të shoqërisë dhe sfidat e kohës sonë. Ky angazhim është reflektuar fuqishëm në veprimtarinë shkencore të universitetit. Organizimi i kongreseve dhe konferencave ndërkombëtare, përfshirë Kongresin Ndërkombëtar të Shkencave Natyrore, Mjekësore dhe Teknologjive, Kongresin Ndërkombëtar të Shkencave Humane, Shoqërore dhe Arteve, si dhe Seminarin XIX Ndërkombëtar të Albanologjisë, e kanë pozicionuar Universitetin e Tetovës si hapësirë serioze të dialogut shkencor dhe akademik. Pjesëmarrja e personaliteteve të shquara akademike dhe publike si dhe studiues të njohur nga rajoni dhe Evropa, dëshmon se universiteti ynë është i pranishëm aty ku diskutohen çështjet thelbësore të shëndetit, arsimit, kulturës, paqes dhe zhvillimit shoqëror. Një universitet modern nuk mund të jetë i mbyllur në vetvete. Gjatë këtij viti, Universiteti i Tetovës ka intensifikuar ndërkombëtarizimin dhe bashkëpunimet ndëruniversitare, duke ndërtuar ura të qëndrueshme me institucione prestigjioze të arsimit të lartë. Bashkëpunimet me Arizona State University, Northern Illinois University, Sam Houston State University, si dhe me universitete nga Mbretëria e Bashkuar, Austria, Polonia, Greqia, Turqia e rajoni, kanë sjellë shkëmbim akademik, mobilitet të studentëve dhe stafit, ligjërata nga profesorë ndërkombëtarë dhe përfshirje aktive në projekte dhe rrjete globale të arsimit të lartë. Këto partneritete nuk kanë mbetur vetëm në nivel formal. Vizitat studimore në Romë, Austri, Stamboll, Bullgari, Suedi e Slloveni; ligjëratat e mbajtura nga profesorë ndërkombëtarë në fakultetet tona dhe përfaqësimi i denjë i universitetit në konferenca shkencore në Francë, Austri, Greqi, Itali dhe vende të tjera evropiane, dëshmojnë për një universitet që lëviz, komunikon dhe kontribuon përtej kufijve. Universiteti i Tetovës ka dëshmuar se është aktor i përgjegjshëm shoqëror. Në bashkëpunim me institucione publike, dhe organizata të shoqërisë civile, janë trajtuar tema të ndjeshme që lidhen me shëndetin publik, mirëqenien mendore, barazinë, gjithëpërfshirjen dhe ndërtimin e paqes. Shënimi i Ditës Botërore të Shëndetit, Ditës Botërore të Ushqimit, Ditës Botërore të Sportit, Ditës së Evropës, Ditës së Personave me Aftësi Ndryshe, dhe aktivitete të tjera sensibilizuese e kanë vendosur Universitetin e Tetovës në zemër të debatit qytetar dhe përgjegjësisë sociale. Në qendër të gjithë këtij angazhimi qëndron studenti. Universiteti i Tetovës e sheh studentin si përfitues të dijes dhe si pjesëmarrës aktiv dhe bashkëkrijues të saj. Konferencat ndërkombëtare studentore, vizitat studimore, punëtoritë, trajnimet, garat edukative, panairet e karrierës dhe aktivitetet kulturore kanë dëshmuar qartë se studentët tanë posedojnë kapacitet intelektual, guxim akademik dhe përgjegjësi për të qenë pjesë aktive e diskursit shkencor dhe shoqëror. Një dimension thelbësor i jetës universitare mbetet kultura e librit dhe mendimit. Gjatë këtij viti u promovuan vepra të rëndësishme shkencore, historike, kulturore dhe akademike. Këto botime e kanë forcuar identitetin e Universitetit të Tetovës si qendër e mendimit kritik dhe prodhimit të dijes.” – tha Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Universiteti i Tetovës në këtë veprimtari akademike, ia akordoi titullin Doctor Honoris Causa një personaliteti të shquar të jetës publike dhe intelektuale shqiptare, Akademik Rexhep Meidanit. Ky vlerësim i lartë përfaqëson mirënjohjen institucionale për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në avancimin e arsimit, shkencës, demokracisë dhe vlerave njerëzore, si dhe për angazhimin e pandërprerë në forcimin e dialogut, paqes dhe bashkëpunimit në rajon dhe më gjerë.

Referatin për jetën dhe veprën e Akademik Rexhep Meidanit, e paraqiti Prorektori për Shkencë Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ai u shpreh se Universiteti i Tetovës, si institucion i arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, që nga themelimi ka pasur mision respektimin e figurave më të rëndësishme kombëtare, që janë të dëshmuar me të arriturat e tyre në shkencë, kulturë, arsim, shoqëri civile apo politike. Drejtuesit e Universitetit të Tetovës gjithmonë kanë shprehur respekt dhe nderim për Akademik Rexhep Meidanin – një personalitet me të arritura të çmuara në fushën e shkencës, jetës akademike dhe politikës shqiptare. Më tej ai u shpreh se Rexhep Meidani si shkencëtar është dalluar për punën e tij shkencore dhe kërkimore. Ka botuar shumë studime dhe libra në vend dhe jashtë, kurse si politikan është dalluar për qëndrimet e tij parimore, vizionare dhe demokratike. Si President i Republikës së Shqipërisë (1997-2002), i shërbeu vendit me dinjitet, përkushtim dhe ndershmëri, duke promovuar stabilitetin rajonal dhe zhvillimin ekonomik. Në vazhdim të referatit, Prorektori për Shkencë e shpalosi biografinë e z. Rexhep Meidani.

“Rexhep Qemal Meidani lindi në Tiranë më 17 gusht 1944. Ai është Doktor i Shkencave, Profesor, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (nga viti 2003) dhe anëtar i Jashtëm i Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve (nga viti 2015). Ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i PS-së në vitet 1996 — 1997 dhe President i Shqipërisë në vitet 1997 —2002. Gjithashtu ka qenë pjesëmarrës në shumë aktivitete publike dhe sociale, ka botuar shumë studime dhe libra universitarë. Është anëtar nderi i shumë asociacioneve kombëtare e ndërkombëtare. Profesor Rexhep Meidani është shpallur Doctor Honoris Causa nga Universiteti Teknik i Stambollit (1998); Universiteti Aristotel i Selanikut (1998); Universiteti i Sofies (1998); Universiteti Amerikan i Romës (1999); Universiteti i Mesdheut Renè Cassin në Bari të Italisë (1999); Universiteti i Bridgeport-it, Connecticut, SHBA (2001); Universiteti i Portsmouth-it, në Angli (2002) dhe Universiteti Neë York Tirana, Shqipëri (2016). Është nderuar me çmimet: F. Lux Award nga Universiteti Clark, Worcester, Massachusetts, SHBA (më 2000); Jan Masaryk Medal nga Universiteti Ekonomik në Pragë (2001) dhe Chancellor’s International Medallion of Distinction nga Universiteti i New Orleans-it në SHBA (2002). Ka marrë shumë dekorata, medalje dhe çmime kombëtare e ndërkombëtare për veprimtarinë mësimoro-shkencore, shoqërore e politike, siç janë: Urdhëri “Naim Frashëri”, Klasa e Tretë, Shqipëri, 1981; “Çmimi i Republikës”, Klasa e Dytë, Shqipëri, 1988; Medalja e Artë e Meritës (The Gold Medaî of Merit) e Qyetetit të Athinës, Greqi, 1998; Kryqi i Madh i Shpëtimit (The Great Cross of Salvation), Greqi, 1998; Medalja e Meritës (Medaille de Merite) Bashkimi Postal Universal, 1998; Medalja e Nderit (Honorary Medal) e Qendrës “Democritos”, Greqi, 1998; Urdhëri Kombëtar “Ylli i Artë i Rumanisë”, Rumani, 1999; Çelësi i Artë i avtetit të Worcester-it, Massachusetts, SHBA, 2000; Urdhëri i Mbretit Tomislav, Kroaci, 2001; Çelësi i Artë i Qytetit të Pragës, Çeki, 2001; Medalja “Schuman”, Fondacioni “Robert Schuman”, Paris, Francë, 2001; Urdhëri Kombëtar i Meritës, Maltë, 2002; Qytetar Ndërkombëtar Nderi i New Orleans- it, SHBA, 2002; Çelësi i Artë i Qytetit të New Orleans, SHBA, 2002; Medalja e Artë e Lirisë, Prishtinë, Kosovë, 2010 etj. Në Shqipëri ka botuar mbi tridhjetë botime shkencore (monografi, broshura, libra universitarë dhe pasuniversitarë) dhe me qindra artikuj shkencorë, shoqërorë, politikë dhe biografikë, por edhe intervista, fjalime, analiza, etj. Gjithashtu ka botuar studime edhe jashtë vendit, sikurse në Francë, Gjermani, Itali, Angli, SHBA, Hollandë, Turqi, Bulgaria, Greqi, Rumani, Kinë, Hungari, etj.” – tha mes tjerash Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Ndërsa vendimin e Senatiti për ndarjen e titullit Honoris Causa për Akad. Rexhep Meidani e paraqiti Kryetari i Senatit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kenan Ferati.

Laureati, Akademik Rexhep Meidani e falënderoi Universitetin e Tetovës për këtë vlerësim të veçantë dhe shpalosi disa ide personale mbi edukimin dhe evolucionin e tij, mbi përthithjen në vazhdimësi të dijes dhe pasqyrimin e saj në punësim e vlerësim. “Një ide e parë është ajo që lidhet me ndryshime të domosdoshme në formimin akademik, ku një rol më aktiv duhet të ketë mësimdhënia në auditor, ku duhet të lehtësohet të mësuarit dhe jo të diktohen apo të transmetohen thjesht njohuri specifike. Për më tepër, duhet të nxitet interesi e kurioziteti i studentit nëpërmjet metodave dinamike, interaktive e simuluese, pjesëmarrjes e zhvillimit të të menduarit kritik, krijimit të një mjedisi që e inkurajon hetim-zbulimin. Sepse, në kushtet e sotme, studenti merr njohuri jo vetëm në auditor, por dhe në kontakt me studentë të tjerë gjatë veprimtarive të ndryshme dhe diskutimeve në grup, nga interneti, multimedia apo burime të tjera të informacionit. Një ide që kërkon një përpunim të mëtejshëm është dhe ajo e të mësuarit permanent. Vite më parë, pas diplomimit, njohuritë e përftuara, në shumicën e rasteve mjaftonin, në njëfarë shkalle, për të gjithë jetën. Sot, vjetrimi i njohurive të fituara është tejet i shpejtë, madje pa një përditësim të tyre apo të aftësive të përftuara, ato shpejt mund të konsiderohen të vjetruara për punësim. Për këtë rifreskim, një rol të ri duhet të ketë universiteti në formësimin dhe stimulimin e një kulture të re te studenti, që ai, në çdo kohë, gjatë jetës profesionale, të jetë i gatshëm të përmirësojë aftësitë dhe njohuritë e tij. Këtij qëllimi i shërben dhe kualifikimi apo edukimi i vazhdueshëm, si në universitete ashtu dhe qendra të specializuara. Në të vërtetë, në një epokë progresi të shpejtë teknologjik, ndryshimesh ekonomike globale dhe përplasjesh sociale, vetë karriera apo punësimi mund të bëhen më të pasigurt, deri duke përmbysur nocionet tradicionale të trajektoreve të karrierës dhe të sigurisë në punë për jo pak punonjës. Po ashtu, rritja e automatizimit, robotizimi dhe depërtimi i inteligjencës artificiale, si dhe lulëzimi i një ekonomie të punëve të përkohshme, po e ndryshojnë rrënjësisht natyrën dhe përmbajtjen e punës. Në kushte të tilla, individi duhet të mësojë që të përshtatet dhe të evoluojë, pa asnjë hezitim, drejt aftësimeve e kompetencave të reja, për të rezistuar në një treg pune që ndryshon në vazhdimësi. Paralelisht dhe struktura e shoqërisë do të formatohet më tej brenda një dikotomie fizike-virtuale, ku ritmi i përparimit teknologjik do të zbehë më tej kufijtë midis vetë botës fizike dhe asaj virtuale, duke krijuar një realitet digjital, sa emocionues po aq dhe shqetësues. Madje, në një përballje me këto ndryshime, ne jemi të detyruar që të rikonsiderojmë disa çështje themelore që lidhen me identitetin dhe vlerat tona, me vendin dhe kombin në një botë gjithnjë më të ndërvarur, të ndërlidhur e komplekse. Në gjykimin tim, në përballjen me sfidat e së ardhmes së afërt, e vetmja konstante është ndryshimi, që duhet të reflektohet në aftësinë tonë për përshtatje dhe orientim. Ky duhet të jetë dhe çelësi i mbijetesës dhe i suksesit tonë, ADN-ja e sjelljes sonë individuale e sociale.” – tha ndër të tjera laureati i titullit Doctor Honoris Causa, Akademik Rexhep Meidani.
Nëpërmjet kësaj ceremonie solemne, Universiteti i Tetovës riafirmon misionin e tij për të nderuar figura që me veprën dhe integritetin e tyre kanë lënë gjurmë të thella në zhvillimin e shoqërisë dhe kanë shërbyer si model frymëzimi për brezat e rinj akademikë. Ky aktivitet u përmbyll me disa pika artistike të interpretuara nga profesorët Kastriot Tusha dhe Bajramali Idrizi, të shoqëruar në piano nga Shkëlzen Baftijari.