MaqedoniTop Lajme

UNT prezanton asistenten virtuale “NËNË TEREZA”

Shpërndaje

Mjet modern për qasje më të shpejtë në informacion dhe shërbime universitare

Shkup, 01.12.2025 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup sot prezantoi Asistenten Virtuale “Nënë Tereza”, një platformë inovative e inteligjencës artificiale që do të ofrojë ndihmë dhe orientim për studentët, stafin akademik dhe vizitorët në tre gjuhë: shqip, maqedonisht dhe anglisht.

Asistentja Virtuale u prezantua në një eveniment solemn të mbajtur në UNT, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, profesorë, studentë dhe media. Të pranishme ishin edhe Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, znj. Kaltrina Zekolli Shaqiri, si dhe Zëvendësministrja e Sportit, znj. Safije Sadiki-Shahini.

Ngjarja u moderua nga Doc. Dr. Genta Spahiu Mirzo, e cila theksoi rëndësinë e këtij projekti si hap drejt digjitalizimit të shërbimeve universitare dhe lehtësimit të qasjes në informacione dhe procedura akademike.

Rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi se: “Me Asistenten Virtuale ‘Nënë Tereza’, Universiteti ynë hyn në një fazë të re të transformimit digjital. Qëllimi është që çdo student dhe çdo punonjës të ketë qasje të menjëhershme në informacione, pa barriera dhe pa vonesa. Ky mjet do të përmirësojë komunikimin, do të rrisë efikasitetin dhe do ta afrojë Universitetin me standardet më të avancuara ndërkombëtare.”

Ai shtoi se implementimi i kësaj platforme është i rëndësishëm jo vetëm për informata, por edhe për forcimin e kulturës së komunikimit dhe transparencës brenda institucionit: “Kjo asistente digjitale nuk është vetëm një teknologji e re, ajo është shenjë e përkushtimit tonë për t’i shërbyer studentëve me cilësi dhe përgjegjësi.” – tha rektori UNT-së

Asistentja Virtuale “Nënë Tereza” është krijuar për të siguruar qasje të shpejtë në informacione akademike dhe administrative, për të thjeshtuar orientimin në shërbimet universitare dhe për të lehtësuar përdorimin e platformave akademike.

Gjatë prezantimit nga rektori UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji u zhvillua edhe një demonstrim praktik, ku studentët dhe stafi akademik patën mundësinë të ndërveprojnë drejtpërdrejt me Asistenten Virtuale, duke testuar funksionalitetet dhe duke parashtruar pyetje.

Kjo ngjalli interaktivitet të gjallë, interesim dhe diskutim konstruktiv rreth përfitimeve që sjell kjo platformë për strukturat akademike të Universitetit. UNT thekson se Asistentja Virtuale është vetëm fillimi i një faze të re inovacioni dhe digjitalizimi në shërbim të studentëve dhe stafit akademik.