Zëvendëskryeministri Arben Fetai do ta përfaqësojë Qeverinë e RMV-së në sesionin plenar të Komisionit të Venecias
Me konkluzion të miratuar në seancën e djeshme qeveritare, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e ka autorizuar Zëvendëskryeministrin Arben Fetai që, në emër të Kryeministrit Hristijan Mickoski, ta përfaqësojë Qeverinë në sesionin plenar të Komisionit të Venecias, i cili do të mbahet më 12 dhe 13 dhjetor 2025 në Venecia, Itali.
Në rend dite të këtij sesioni është shqyrtimi i Projektligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, të cilin Qeveria e ka miratuar si zgjidhje ligjore për rregullimin e plotë të parimit kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të komuniteteve në institucionet shtetërore dhe publike.
Ky ligj është akt sistemor dhe institucional me rëndësi të veçantë, sepse për herë të parë e definon qartë me ligj parimin që buron nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, duke paraparë mekanizma funksionalë zbatimi dhe krijimin e një trupi koordinues ndërinstitucional përgjegjës për implementimin e tij.
Zëvendëskryeministri Fetai ka theksuar se miratimi i këtij ligji korrigjon një padrejtësi institucionale të trashëguar më shumë se 20-vjeçare dhe vendos bazë të qëndrueshme ligjore për barazi reale në administratën publike dhe në institucionet e shtetit.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka deklaruar se menjëherë pas marrjes së opinionit përfundimtar nga Komisioni i Venecias, ligji do të procedohet për miratim në Kuvend.
Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat është dashur të miratohej që nga viti 2003, ndërsa pas më shumë se dy dekadash vonesë, tani po trajtohet për herë të parë si zgjidhje normative e plotë dhe funksionale.

