Ahmeti: 20 vite pa dijetarin Jakup Asipi. Para veprës heshtin fjalët!
Sot, në përvjetorin e 20-të të ndarjes nga jeta të dijetarit, strategut dhe humanistit të shquar Jakup Asipi, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, e kujton me nderim figurën e tij të pazëvendësueshme, njofton AlbaZone Media.
Ai ishte një ndër mendjet më të ndritura të kohës, një njeri i diturisë, i përkushtimit dhe i guximit, i cili tërë jetën ia kushtoi popullit, lirisë dhe vlerave të mëdha morale, shkruan mes tjerash Ahmeti.
Postimi i plotë:
20 vite pa dijetarin Jakup Asipi (Allahu e mëshiroftë)
Para veprës heshtin fjalët!
Jakup Asipi lindi në fshatin Sllupçan më 2 shkurt 1951, shkollimin fillor e kreu në vendlindje, atë të mesëm në Damask të Sirisë, studimet i kreu në universitetin Al-Az’har të Egjiptit, ndërsa studimet postdiplomike i vazhdoi në Bejrut të Libanit.
Gjatë viteve 1985–1990 punoi si imam në një xhami në Leverkusen të Gjermanisë, ku ka dhënë kontribut të çmueshëm në kultivimin e vlerave fetare, morale, kulturore e kombëtare. I vetëdijshëm për situatën në trojet tona, në vitin 1990 kthehet në vendlindje për të kontribuar në gjendjen e rëndë të popullatës. Në ligjëratat e tija ishte shumë i përpikt dhe i guximshëm, kështu që ju ka bërë ballë kërcënimeve dhe marrjeve të shumta në pyetje nga ana e policisë maqedonase.
Në vitin 2001, gjatë luftës në Maqedoni, Jakup Asipi u paraqit si njëri ndër strategët kryesorë në organizimin dhe përkrahjen e luftës, sepse ishte i bindur se vetëm përmes kryengritjes populli do të ishte në gjendje t’i arrinte liritë dhe të drejtat e veta.
Ndërroi jetë më 7 janar 2006 në një aksident rrugor në autostradën Shkup – Kumanovë.

