Maqedoni

Autoritetet në RMV do të analizojnë a ka pasur rritje çmimesh dhe “dallavere” nga tregtarët

Shpërndaje

Çmimet e produkteve që qytetarët i kanë paguar në fund të vitit dhe në fillim të këtij do të analizohen nga Ministria e Ekonomisë, thotë ministri Besar Durmishi. Qëllimi, siç thotë ai, është të shihet nëse ka pasur rritje çmimesh dhe sjellje devijante nga tregtarët.

“Javën tjetër do të analizojmë të dhënat e çmimeve nga ditët e fundit të dhjetorit dhe ditët e para të janarit dhe do të informoheni nëse ka sjellje devijante nga tregtarët apo rritje çmimesh”, tha sot Durmishi.

Ai shtoi se pasi të bëhen analizat dhe të shihet nëse pretendimet për çmime më të larta janë të vërteta, do të informojnë se si do të vazhdojnë.

Deklarata e Durmishit vjen pasi para festave të Vitit të Ri, qytetarët reaguan se çmimet e produkteve në markete janë shumë të larta.

Ata kërkuan “shportë të Vitit të Ri” ose disa masa të tjera për ndërhyrje në çmime, por më pas kryeministri Hristijan Mickoski tha se masa të tilla nuk do të futen.

Sipas tij, të gjitha aspektet po analizohen, por ai beson se çdo ndërhyrje do të thotë vetëm transferim në muaj të tjerë.

“Po, ndoshta në ato muaj do të ketë çmim më të lirë, por tregtarët më vonë e transferojnë atë në muajt pasardhës dhe në fund çmimi neto që paguajnë qytetarët është më i lartë. Kjo është analiza që kemi bërë, e cila është rezultat i këtyre shportave. Dhe, jo vetëm këtu, të gjitha ato vende që kanë aplikuar një analizë të tillë kanë arritur në atë përfundim. Ajo që është e rëndësishme për ne të bëjmë është të dalim në terren dhe kjo është ajo që po bëjmë”, tha Mickoski në fillim të dhjetorit.

Pritjet e tij ishin që çmimet të stabilizoheshin në muajt në vijim, por nëse kjo nuk ndodh, ai tha se do të “shkonin një hap më tej”.

Përndryshe, javën e kaluar Enti Shtetëror i Statistikave publikoi të dhënat e fundit mbi qarkullimin në tregtinë me pakicë të ushqimit, pijeve dhe duhanit në nëntor të vitit të kaluar.

Sipas raportit statistikor, në nëntor, shkalla reale e qarkullimit për ushqim, pije dhe duhan u rrit me 6.5 përqind krahasuar me të njëjtin muaj në vitin 2024. Nominalisht, kjo rritje është 13.7 përqind.