BDI konfirmon: Ali Ahmeti do të merr pjesë në takimin e liderëve
Nga BDI konfirmuan se kryetari i partisë, Ali Ahmeti, nesër do të marrë pjesë në takimin e liderëve të thirrur nga kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Njofimi nga BDI:
Bashkimi Demokratik për Integrim njofton opinionin publik se sot, Kryetari i BDI-së, z. Ali Ahmeti, ka konvokuar mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm.
Në këtë mbledhje u diskutua gjerësisht mbi zhvillimet aktuale politike në vend, raportet dhe marrëdhëniet me partitë e tjera politike, si dhe mbi takimin e paralajmëruar të liderëve politikë.
Këshilli i Përgjithshëm, me unanimitet të plotë, vendosi që Kryetari Ali Ahmeti të marrë pjesë në takimin e liderëve, duke dëshmuar edhe një herë se Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet një parti politike serioze, e përgjegjshme dhe shtetformuese, e cila kultivon vazhdimisht dialogun politik dhe angazhohet për ndërtimin e konsensusit rreth çështjeve thelbësore politike dhe ekonomike të vendit.
Në kuadër të kompetencave të tij statutore, Kryetari Ahmeti do të ketë në ekskluzivitetin e tij hapjen dhe trajtimin e temave që janë jetike dhe strategjike për vendin, që kanë të bëjnë me perspektivën evropiane, stabilitetin politik dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Njëkohësisht, Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim u bën thirrje të gjitha partive politike në vend që janë të përafërta me vizionin e BDI-së, si dhe kapaciteteve intelektuale, shoqërore dhe profesionale, që t’i bashkëngjiten Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të bëhen pjesë e formacionit tonë politik.
BDI mbetet e hapur për inkorporimin dhe absorbimin e gjithë potencialit intelektual dhe politik në vend, me qëllim avancimin e politikave dhe vizionit që janë në interes të shtetit dhe të të gjithë qytetarëve pa dallim.
Prandaj, kjo thirrje u drejtohet të gjitha subjekteve politike, asociacioneve shoqërore, intelektuale dhe profesionale, që të bëhen pjesë e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe e vizionit tonë të përbashkët për një shtet stabil, demokratik dhe të zhvilluar.

