BE i kërkon Izraelit të lejojë OJQ-të ndërkombëtare të veprojnë në Gaza
Bashkimi Evropian sot i bëri thirrje Izraelit që të lejojë OJQ-të ndërkombëtare të ofrojnë ndihmë për civilët në Palestinë dhe paralajmëroi se ndihma nuk mund të arrijë shkallën e nevojshme në Gaza pa to, transmeton Anadolu.
Zyrtarë të lartë të BE-së paralajmërojnë se situata humanitare në Gaza vazhdon të përkeqësohet ndërsa kushtet e dimrit po vijnë dhe agjencitë e ndihmës përballen me kufizime në aftësinë e tyre për të vepruar.
Në një deklaratë të përbashkët, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas dhe komisioneret Hadja Lahbib dhe Dubravka Suica thanë se civilët në Gaza përballen me kushte në përkeqësim, me shira të rrëmbyeshëm, temperatura në rënie dhe mungesë strehimi të sigurt.
Ata thanë se fëmijët ende janë jashtë shkollës ndërsa objektet mjekësore “mezi funksionojnë, me staf dhe pajisje minimale”. Rezoluta parashikon krijimin e një bordi paqeje dhe një force të përkohshme ndërkombëtare stabilizimi sipas një plani gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Rripin e Gazës.
Sipas zyrtarëve të BE-së, Këshilli Evropian “u bëri thirrje të gjitha palëve të zbatojnë Rezolutën në tërësinë e saj, në përputhje me parimet përkatëse ligjore ndërkombëtare dhe të jenë të përkushtuara për të kontribuar në zbatim”.
Këshilli Evropian theksoi nevojën urgjente për ndihmë humanitare që të arrijë në Gaza. KE potencon “nevojën për ofrimin e shpejtë, të sigurt dhe të papenguar dhe shpërndarjen e qëndrueshme të ndihmës humanitare, në shkallë të gjerë në dhe në të gjithë Gazën”.
KE i kërkon Izraelit të mos vazhdojë me zbatimin e një ligji që rregullon regjistrimin e organizatave joqeveritare. Deklarata e përbashkët tha se BE-ja po i bën thirrje Izraelit “të lejojë OJQ-të ndërkombëtare të veprojnë dhe të ofrojnë ndihmë shpëtimtare për civilët në nevojë në Palestinë”.
Zyrtarët paralajmëruan se kufizimet mbi organizatat ndërkombëtare të ndihmës do të kenë pasoja serioze. “Pa këto OJQ ndërkombëtare, ndihma humanitare nuk mund të ofrohet në shkallën e nevojshme për të parandaluar humbjen e mëtejshme të jetëve në Gaza”, tha deklarata.
Ata shtuan se ofrimi efektiv i ndihmës kërkon që OJQ-të ndërkombëtare të punojnë në “mënyrë të qëndrueshme dhe të parashikueshme”, duke paralajmëruar se pa një akses të tillë “ndihma shpëtimtare nuk mund të arrijë tek njerëzit në nevojë”.
Që kur marrëveshja e armëpushimit hyri në fuqi, ushtria izraelite ka kryer qindra shkelje, duke vrarë 422 palestinezë dhe duke plagosur 1.189 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Armëpushimi i dha fund luftës dyvjeçare të Izraelit që vrau gati 71.400 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, plagosi më shumë se 171.200 të tjerë që nga tetori i vitit 2023 dhe e la enklavën në rrënoja.

