MaqedoniTop Lajme

Kush e hoqi shqipen nga Telekomi? Heshtja që kushton 150 mijë denarë në muaj

Shpërndaje

Para 8 muajsh, Anita Latifi ngriti një alarm publik që sot jo vetëm që nuk ka marrë përgjigje, por është bërë edhe më i rëndë e më i dhimbshëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, shkruan portali Struga Time.

Pyetja e saj ishte e qartë dhe legjitime:
A është i informuar Nusret Ziba anëtarë i Këshillit të Drejtorëve në Telekom, të propozuar nga Qeveria – aksionare me 34,81% – se nga sistemi i Telekomit është zhdukur opsioni “Për SHQIP – shtypni 2”?

Sot, pas 8 muajsh, përgjigjja është edhe më shqetësuese: ose janë të informuar dhe nuk reagojnë, ose nuk janë të informuar dhe nuk e meritojnë funksionin që mbajnë.

Nusret Ziba, i cili merr një pagë mbi 150 mijë denarë në muaj, çfarë ka arritur konkretisht për qytetarët shqiptarë?
Në perceptimin publik, “arritja” e vetme që i vishet është pikërisht heqja e gjuhës shqipe nga shërbimet e Telekomit – një akt që nuk është thjesht teknik, por politik, diskriminues dhe fyes.

Në një shtet që pretendon barazi gjuhësore, ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, si është e mundur që një kompani ku shteti ka mbi një të tretën e aksioneve të funksionojë pa shërbim në shqip?
Kush mban përgjegjësi?
Këshilli i Drejtorëve apo vetëm qytetarët shqiptarë që gjithmonë duhet të presin, të durojnë dhe të heshtin?

Heshtja e Nusret Zibës nuk është neutrale. Heshtja është qëndrim.
Dhe në këtë rast, është qëndrim kundër shqipes.

Nuk mund të justifikohet paga e majme publike, nëse rezultati është zhdukja e identitetit gjuhësor.
Nuk mund të flitet për përfaqësim, nëse përfundimi është përjashtimi i shqipes nga shërbimet bazë.

Ky nuk është sulm personal.
Ky është kërkim llogarie publike.

Shqiptarët nuk kërkojnë privilegje.
Kërkojnë atë që u takon me ligj, me Kushtetutë dhe me dinjitet:
👉 “Për SHQIP – shtypni 2” të rikthehet.
👉 Përgjegjësit të flasin.
👉 Heshtja të marrë fund.