Mickoski: Me promovimin dhe dorëzimin e pajisjeve për menaxhimin e mbetjeve të ngurta, bëjmë një hap drejt një mjedisi më të pastër – në vend të improvizimeve, ndërtojmë një sistem
Të nderuar ministra,
Të nderuar kryetarë komunash,
Përfaqësues të çmuar të partnerëve ndërkombëtarë,
Të dashur bashkëqytetarë,
Sot dërgojmë një mesazh të fortë dhe të qartë se po ecim përpara – nga një sistem që për dekada është lënë pas dore, drejt një menaxhimi modern, të qëndrueshëm dhe evropian të mbetjeve.
Me promovimin dhe dorëzimin e pajisjeve të reja për menaxhimin e mbetjeve të ngurta, po bëjmë një hap konkret drejt një mjedisi më të pastër, një cilësie më të lartë të jetesës dhe një mbrojtjeje më të fortë të shëndetit të qytetarëve.
Këto pajisje nuk janë vetëm mjete teknike. Ato janë simbol i një ndryshimi sistemor. Me shpërndarjen e tyre mundësojmë një rritje të ndjeshme të mbulimit të shërbimit të grumbullimit të mbetjeve, si në zonat urbane ashtu edhe në ato rurale. Kjo do të thotë se çdo vendbanim, çdo qytetar, merr trajtim të barabartë dhe kujdes të njëjtë nga shteti.
Me këtë investim godasim drejtpërdrejt deponitë ilegale – problemin shumëvjeçar të hedhjes informale dhe të pakontrolluar të mbetjeve. Në vend të kaosit, vendosim rregull. Në vend të improvizimit, ndërtojmë një sistem.
Veçanërisht e rëndësishme është se po krijojmë kushte për selektimin e mbetjeve që në burim. Ky është një ndryshim kulturor, jo vetëm një masë teknike.
Sot është ekspozuar një pjesë e pajisjeve të planifikuara – automjete dhe kontejnerë – të dedikuara për komunat e Rajonit të Pelagonisë dhe Rajonit Jugperëndimor. Kjo është një dëshmi e dukshme dhe praktike e investimeve që po bëjmë: dhjetë kamionë me kapacitet prej 8 metrash kub, katër kamionë me kapacitet prej 12 metrash kub, një kamion tip kiper, një kamion i markës “Renault”, si dhe pajisje të tjera shoqëruese që do të rrisin efikasitetin e shërbimeve komunale.
Por ky nuk është një projekt i izoluar. Ky është pjesë e Projektit rajonal për menaxhimin e mbetjeve të ngurta – përpjekja e parë nacionale për vendosjen e një sistemi të integruar dhe të qëndrueshëm të menaxhimit të mbetjeve në nivel rajonal, në përputhje me direktivat evropiane për mbetjet dhe deponitë.
Projekti përfshin ndërtimin e tre deponive sanitare rajonale, sanimin dhe mbylljen e tre deponive ekzistuese jo-standarde, ndërtimin e stacioneve për ngarkim dhe shkarkim, si dhe blerjen e pajisjeve dhe makinerive për mbledhjen dhe transportin e mbetjeve, për gjithsej pesë rajone planore në vend.
Veçanërisht e rëndësishme është se me këtë pajisje po përgatisim sistemin për funksionimin e plotë të deponisë rajonale dhe qendrës për menaxhimin e mbetjeve në Novaci, si dhe të stacioneve të ngarkimit dhe shkarkimit në Kërçovë, Ohër, Prilep dhe Dibër. Kjo është një qasje rajonale që sjell efikasitet, arsyetim ekonomik dhe qëndrueshmëri afatgjatë.
Struktura financiare e këtij projekti është shembull i një bashkëpunimi të suksesshëm ndërmjet shtetit dhe partnerëve ndërkombëtarë. Janë siguruar mjete përmes huasë, granteve dhe mbështetjeve që së bashku krijojnë një bazë të fortë për realizimin e njërit nga projektet më komplekse ekologjike në vend.
Me këtë investim, ne jo vetëm që përmbushim standardet evropiane. Ne ndërtojmë një shtet ku një mjedis i pastër nuk është privilegj, por një e drejtë. Si shtet mendojmë në mënyrë afatgjate. Një shtet që mbron gjeneratat e ardhshme.
Kjo është një dëshmi se kur ekziston vizion, përgjegjësi dhe partneritet – rezultatet janë të dukshme, të prekshme dhe të dobishme për çdo qytetar.
Ne vazhdojmë me përkushtim, në mënyrë sistematike dhe të përgjegjshme. Për një Maqedoni më të pastër ekologjike. Për një jetë më të shëndetshme. Për një të ardhme evropiane.
Ju faleminderit.


