RajoniTop Lajme

Rama: Masa ndaj atyre që lëshojnë mbetjet si lopa bajgat

Shpërndaje

Në podkastin e tij të parë për këtë vit, Kryeministri Rama siguroi qytetarët se pas verifikimeve të dëmeve nga përmbytjet, qeveria do të nisë shpërndarjen e dëmshpërblimeve.

“Ti nuk do të jesh kurrë vetëm! Kjo është motoja ime dhe e jonë sa herë fatkeqësi të ndryshme godasin vendin e njerëzit, që nga tërmeti shkatërrues i mijëra e mijëra shtëpive e deri tek sikleti rrënues i një familjeje të goditur nga uji, zjarri apo nga ndonjë fatkeqësi tjetër. Dhe dua t’u përcjell përsëri, të dëmtuarve nga kjo goditje e fatkeqësisë kësaj here, se ne do t’i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj tyre, qoftë për banesat, qoftë për gjënë e gjallë.”

Përpos kushteve atmosferike dhe infrastrukturës, Rama bëri me faj dhe qytetarët, të cilët tha se, si pasojë e hedhjes së mbeturinave nëpër kanalet kulluese, kanë një peshë të konsiderueshme në përgjegjësinë ndaj përmbytjeve.

“Përtej vorbullës atmosferike, ndryshimit klimatik, sasisë së reshjeve që në katër ditë ishte sa mesatarja e muajit janar, pra 30 ditëve reshje, në pesë vitet e fundit, faktori njerëzor ka peshën e vet. Ka peshën e vet për mirë ose për keq, njësoj siç edhe infrastruktura ka peshën e vet për mirë ose për keq. Jo për t’i ndalur, por për t’i bërë më të kontrollueshme, këto masa të jashtëzakonshme reshjesh dëbore dhe prurjesh. Ndërkohë që, ne si qeveri, jemi të qartë për nevojën e vazhdimit të investimeve në sistemin mbrojtës të vendit, unë nuk e di fare sinqerisht se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull! Po troç, ne si popull!”

Për të ndaluar këtë fenomen, kryeministri paralajmëroi masa ndaj qytetarëve, duke e cilësuar krim ndotjen e mjedisit.

“Do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim, por edhe ndëshkim po ashtu. Por në të gjitha rastet është e domosdoshme që gjithësecili të ftoillohet, sepse kjo që ndodh dhe ajo që i bëjmë ne Shqipërisë, duke hedhur një shishe plastike apo duke hedhur një qese plastike në rrugë ka vetëm një fjalë që e përkufizon: KRIM.”

Rama zbardhi edhe diskutimet me Ministrin e Drejtësisë së Francës, teksa foli për ekspertizën e ekspertëve të huaj për konsolidimin e draftit të ri penal. Sipas tij, Shqipëria ka një drejtësi të pavarur, por jo të paanshme e as cilësore.

“Duhet të adresojmë problematika të mprehta, por njëkohësisht të mbrojmë pavarësinë, të nxisim paanësinë dhe të rrisim cilësinë e drejtësisë në këtë vend, ku kemi më në fund një drejtësi të pavarur, falë lidershipit të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe mbështetjes bipartizane të popullit shqiptar, po nuk kemi ende as një drejtësi të paanshme e as një drejtësi cilësore. Nuk është e lehtë, por unë nuk i jam përkushtuar politikës për të bërë gjëra të lehta apo për t’i marrë lehtë gjërat e rënda. Përkundrazi.”

Në podkastin “Flasim”, kreu i qeverisë u ndal sërish edhe tek rritja e pagave dhe pensioneve, si dhe pjesëmarrja e tij në Samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën, të mbajtur në Paris.