Vazhdon protesta para DAP-it në Tetovë! Të mbështetur edhe nga qytete të tjera, kërkojnë anulimin e tatimeve retroaktive
Qytetarët që kanë punuar në Lindjen e mesme, kryesisht në Irak dhe Afganistan përsëri protestuan para zyrave të Drejtorisë së të Ardhurave Publike në Tetovë.
Kërkuan të tërhiqen që vendimet për pagesë retroaktive të tatimeve që u janë lëshuar nga DAP-i, pasi të njëjtat janë të vonuara.
“Të anulohen të gjithë vendimet e marra me efekt retroaktive, nuk mund të lejohet që qytetarët sot të ngarkohen për detyrime që në kohën kur janë krijuar nuk kanë ekzistuar ose janë interpretuar ndryshe, kërkojmë që të gjitha vendimet e nxjerra në bazë retroaktive dhe çdo procedurë e tillë të ndalet deri në sqarimin e plotë ligjor, kërkojmë përfshirjen e profesorëve universitar dhe ekspertëve të pavarur për interpretim të drejtë të ligjit për tatim”, tha Fariz Bajrami.
Protestës në Tetovë iu bashkuan edhe qytetarë të qyteteve të tjera.
Ata që kishin ardhur nga Kumanova, thanë se gjatë ditës së premte kanë lënë një takim me drejtoreshën e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Elena Petrova.
“Ne kemi tre kërkesa që janë të qarta, të gjitha vendimet që janë dhënë të ndërpriten, pasi që ne të gjithë kemi punuar nga gjashtë, shtatë, tetë muaj dhe ne nenin 5 të ligjit për jorezidentë, të gjithë ne kemi dëshmi se kemi paguar tatim atje dhe të gjithë dëshmitë që i kemi dorëzuar ata nuk i pranojnë. E dyta është të kërkojmë përgjegjësi nga ata, se kjo është pas pesë vitesh, pse ata nuk na njoftuam, pas një kohe të gjatë na njoftojnë”, deklaroi Zoran Nakovski.
“Nuk mund dikush të vërteton se ti je rezident por ke qenë shtatë muaj jashtë dhe kjo është një nga temat që duhet të bisedohet me Elena Petrovën të premten dhe të gjejmë zgjidhje që këta vendimet të ndërpriten dhe të dalin komplikime tjera me persona të tjerë në këtë rast”, u shpreh Zhikica Millanov.
Takimi mes drejtoreshës së DAP-it Elena Petrova dhe protestuesve është paraparë për të premten në zyrat e DAP-it në Shkup./TV21

