A mashtroi ministrja Janevska: Dy propozim-ligje për cilësinë dhe shkencën janë hartuar nga vetëm 8 persona, jo nga 60 profesorë!
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, është përballur me pyetje të drejtpërdrejta nga gazetarët lidhur me procesin e hartimit të dy propozim-ligjeve për cilësinë në arsimin e lartë dhe për veprimtarinë shkencore-kërkimore.
Edhe pse në paraqitjet publike Janevska kishte deklaruar se në përgatitjen e këtyre ligjeve kanë kontribuar rreth 60 profesorë universitarë, informacione të reja tregojnë se draftet janë përgatitur nga vetëm 8 persona. Sipas burimeve, shumica e tyre janë të punësuar në Ministrinë e Arsimit, ndërsa për disa prej tyre pretendohet se nuk posedojnë as kualifikime të plota universitare.
Këto pretendime kanë hapur dilema serioze për transparencën dhe legjitimitetin e procesit ligjvënës, sidomos duke pasur parasysh se bëhet fjalë për ligje që prekin drejtpërdrejt standardet akademike dhe autonominë universitare.
Çështja bëhet edhe më e ndjeshme për shkak se këto dy propozim-ligje po procedohen në paketë me Ligjin për arsimin e lartë, një akt themelor që rregullon funksionimin e të gjithë sistemit universitar në vend.
Nga aspekti juridik, përgjegjësia eventuale e ministres do të varej nga disa elemente kyçe: nëse ka pasur paraqitje të pasaktë ose mashtruese para opinionit apo Parlamentit lidhur me përbërjen e grupit punues; nëse janë shkelur procedurat ligjore për formimin e komisioneve dhe grupeve të ekspertëve; si dhe nëse procesi i konsultimit publik ka qenë formal dhe jo substancial.
Profesorët universitarë theksojnë se, nëse vërtetohet se Parlamenti apo publiku janë vënë në lajthitje me deklarime të pavërteta për përbërjen dhe kompetencën e grupit hartues, atëherë mund të ngrihet çështje e përgjegjësisë politike, por edhe juridike, në varësi të provave dhe dispozitave ligjore të aplikuara.
Për momentin, ministrja Janevska nuk ka pranuar të japë sqarim të detajuar mbi strukturën e Grupit punues dhe kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve. (koha.mk)

