MaqedoniTop Lajme

Arben Fetai merr mandatin për negociatat – “Aleanca e Re” drejt shkrirjes së VLEN-it në një parti të vetme

Shpërndaje

Strukturat e Aleanca për Shqiptarët, në kuadër të koalicionit VLEN, morën vendime të rëndësishme strategjike për të ardhmen politike të përfaqësimit shqiptar në Maqedonia e Veriut. Në mbledhjen e Kuvendit për Themelim u analizuan zhvillimet aktuale politike dhe u miratua koncepti “Aleanca e Re”, si hap drejt riorganizimit dhe konsolidimit të brendshëm. Vendimet për pezullimin e organeve aktuale, shpalljen e moratoriumit të përkohshëm dhe autorizimin për negociata të mëtejshme në kuadër të lidershipit të VLEN-it synojnë unifikimin përfundimtar në një subjekt të vetëm politik, me qëllim forcimin e përfaqësimit të shqiptarëve dhe ndërtimin e një alternative të bashkuar, transparente dhe efektive.

Njoftimi nga Fetai:

Të nderuar qytetarë, miq dhe mbështetës të Aleancës për Shqiptarët dhe VLEN-it,
Sot dua t’ju drejtohem drejtpërdrejt, për t’ju njoftuar me vendime të rëndësishme që strukturat tona morën në mbledhjen për Kuvendin Themelues të Aleancës.
Ne, si pjesë e Aleancës për Shqiptarët brenda koalicionit VLEN, përfshirë anëtarët e Këshillit Koordinues, koordinatorët e degëve, funksionarët dhe mandatarët e zgjedhur, u mblodhëm sot për të analizuar zhvillimet politike në vend dhe sfidat që kemi përpara.
Në fokusin tonë të vazhdueshëm janë pritjet tuaja për të avancuar veprimin tonë politik, me qëllim forcimin dhe konsolidimin e përfaqësimit efektiv të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Kjo nuk është vetëm një nevojë e kohës, por është edhe detyrim moral ndaj qytetarëve që na kanë besuar si VLEN.
Për këtë arsye, u thir një Kuvend për Themelim, i cili miratoi konceptin “Aleanca e Re”, si hap strategjik drejt një VLEN-i më të fuqishëm dhe të unifikuar.
Në funskion të riorganizimit dhe forcimit të brendshëm, kemi marrë vendime konkrete dhe me efekt të menjëhershëm:
1. Pezullimi i funksionimit të të gjitha organeve aktuale deri në një vendim të ri.
2. Shpallja e një moratoriumi të përkohshëm në të gjitha aktivitetet partiake.
3. Me shumicë votash, Kuvendi për Themelim më autorizoi që të zhvilloj negociatat e mëtejshme në kuadër të lidershipit të VLEN-it.
Synimi është i qartë: themelimi i VLEN-it si parti politike e vetme dhe e regjistruar, me shkrirje të partive themeluese, dhe në përputhje të plotë me parimet e barazisë, konsensualitetit, vlerave dhe orientimeve strategjike që kemi dakorduar bashkërisht deri më sot.
Ky proces nuk është fundi i ASH-së sonë, është hapi i ardhshëm drejt një forme të re të përfaqësimit tonë të përbashkët në VLEN.
Ne jemi kontribuuesit dhe sakrifikuesit më të mëdhenj për krijimin dhe mbajtjen gjallë të VLEN-it, dhe tani po hedhim hapin vendimtar për ta kthyer këtë koalicion në subjekt politik të unifikuar.
Qytetarët shqiptarë meritojnë një forcë të bashkuar, transparente dhe efektive, e jo ndarje të reja që i shërbejnë vetëm atyre që duan të ruajnë regjimin e vjetër.
Do të vazhdoj të punoj me përgjegjësi të plotë, me transparencë dhe në frymën e unitetit, për të arritur këtë qëllim sa më shpejt dhe sa më mirë.
Ju faleminderit për besimin dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme.