Begaj i drejtohet Kuvendit – “Korridori 8 – shembull i vërtetë për lidhjen e ekonomisë dhe sigurisë”
Pa çështje të hapura, vetëm fjalë lavdërimi për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, Begaj tha se ndihet i nderuar që viziton një vend me të cilin Shqipëria ka bashkëpunim të shkëlqyer.
“Marrëdhëniet tona kanë ndikim edhe në rajon, ato mbeten një shtyllë e rëndësishme e stabilitetit, bashkëpunimit rajonal dhe orientimit tonë euroatlantik. Për Shqipërinë, Maqedonia e Veriut është një faktor kyç në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe kohezionit ndër-etnik”, deklaroi presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Gjatë fjalimit të tij, Begaj përmendi disa pika kyçe, por një pjesë të madhe të kohës e kushtoi ndërtimit të Korridorit 8, i cili sipas tij është projekt me rëndësi të madhe jo vetëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe për rajonin më të gjerë.
“Koridori 8 është shembulli më i mirë se si lidhen siguria dhe ekonomia. Ulet koha e udhëtimit, zvogëlohen kostot dhe rritet konkurrenca për biznesin. Është një arterie tregtare, dhe për qytetarët një mundësi për punësim. Për rajonin, përfaqëson një mesazh për sigurinë, sepse bashkëpunimi është më i mirë se izolimi”, shtoi Bajram Begaj – president i Shqipërisë.
Nga foltorja e Kuvendit, Begaj bëri thirrje për bashkëpunim edhe më të madh mes dy vendeve, për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, bashkëpunimin ekonomik dhe rrugën drejt BE-së. Ai theksoi se bota po ndryshon dhe dëshiroi që Maqedonia dhe Shqipëria, si partnerë, të kalojnë së bashku rrugën e ndryshimeve.

