MaqedoniTop Lajme

Blerim Sejdiu i përgjigjet Afrim Gashit dhe Arben Fetahut: VLEN nuk u krijua për karrige!

Shpërndaje

Blerim Sejdiu, kryetar i Komunës së Zhelinë nga radhët e Lëvizja BESA, ka reaguar për zhvillimet e fundit brenda koalicionit VLEN, duke theksuar se ky projekt politik nuk është ndërtuar mbi logjikën e ndarjes së posteve, por mbi misionin për ndryshim.

Reagimi i plotë nga Sejdiu:
Ne si Lëvizje BESA nuk kemi hyrë në VLEN për të numëruar karrige, por për të ndryshuar rrjedhën e politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Kur u krijua VLEN-i, ne sakrifikuam shumë duke ulur flamujt e egoizmit politik dhe vendosëm mbi tavolinë një projekt më të madh se secili prej nesh, siç është VLEN-i. E bëmë këtë sepse shqiptarët kishin nevojë për një bashkim, për një alternativë serioze dhe për një politikë që nuk e sheh pushtetin si pronë, por si përgjegjësi.
Tejkaluam interesat e ngushta partiake, ambiciet individuale dhe kalkulimet afatshkurtra, vetëm e vetëm që të ndërtojmë një projekt më të madh se ne.
VLEN lindi si kompromis i fortë por edhe si domosdoshmëri historike. Lindi nga nevoja për ndryshim, nga lodhja e qytetarëve me politikën e përçarjes dhe nga kërkesa për përfaqësim dinjitoz, të barabartë dhe me vizion të qartë euro-perëndimor. Për këtë arsye, ne kemi investuar kapital politik, besim dhe sakrificë, duke e vendosur interesin kolektiv mbi interesin individual.
Sot, përballë sfidave të reja dhe tensioneve të brendshme, është koha që të gjithë eksponentët politikë brenda koalicionit të bëjnë të njëjtën gjë:
të tejkalojnë egot, kushtëzimet dhe retorikat e momentit.
Koalicionet nuk ndërtohen mbi matematikë të ngushtë përfaqësimi, por mbi filozofi të përbashkët veprimi. Nuk mbahen gjallë me ultimatume, por me besim dhe përgjegjësi të ndërsjellë. Nëse secili fillon ta masë peshën e vet vetëm me përqindje dhe pozicionim formal, atëherë rrezikojmë ta zëvendësojmë misionin me kalkulim.
Ne besojmë se rruga e vazhdimit është më e vlefshme se rruga e stagnimit.
Se hapja e perspektivës për gjeneratat që vijnë është më e rëndësishme se mbyllja në logjikën e momentit.
Se përgjegjësia jonë nuk është ndaj strukturave partiake, por ndaj qytetarëve shqiptarë që presin stabilitet, zhvillim dhe dinjitet politik.
Nuk duhet ta harrojmë asnjëherë:
Mandatet nuk janë pronë e partive, janë besim i qytetarëve.
Por edhe koalicionet nuk duhet të mendohen si qëllim në vetvete, por si mjet për t’i shërbyer interesit kombëtar dhe shtetformues.
Prandaj, sot më shumë se kurrë, kërkohet pjekuri politike.
Kërkohet reflektim.
Kërkohet tejkalim i vetes.
Ne si Lëvizje BESA mbetemi të përkushtuar ndaj frymës së unitetit, ndaj forcimit të VLEN-it dhe ndaj një bashkëpunimi të ndërtuar mbi barazi, respekt dhe vizion të përbashkët.
Ftojmë të gjithë partnerët që të reflektojnë me përgjegjësi historike dhe të zgjedhin rrugën e vazhdimit, jo të ndarjes.
Sepse qytetarët nuk na kanë dhënë mandat për përçarje, por për ndryshim.