RajoniTop Lajme

Konjufca: Një emër nga familja e Jasharëve, konsensus shoqëror për presidentin

Shpërndaje

Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta vendosë opozitën para aktit të kryer, duke propozuar njëanshëm kandidat për president, ka thënë të mërkurën zëvendëskryeministri Glauk Konjufca. Por, ai ka deklaruar se një president nga radhët e familjes Jashari është i vetmi emër që siguron konsensus të gjerë shoqëror. Ndërsa, dhjetë organizata të shoqërisë civile iu kanë kërkuar subjekteve politike që t’i lënë anash kalkulimet politike dhe të arrijnë marrëveshje për presidentin
Zëvendëskryeministri Glauk Konjufca nuk ka pranuar që të tregojë nëse ndonjëri prej anëtarëve të familjes Jashari ka vullnet që të bëhet pjesë e garës për president.

Por ai ka theksuar se një emër nga radhët e familjes së komandantit Adem Jashari do të ishte i vetmit që do të mund të arrijnë konsensus për postin e të parit të shtetit, zgjidhja për të cilin, bazuar në Kushtetutë, duhet të gjendet më së largu deri më 4 mars.

“Ky është një konsensus i partive politike (çështja e presidentit). Deri tash të vetmit emra që kanë shkaktuar automatikisht një pritje pozitive, një konsensus automatik në shoqërinë tonë, është një president nga radhët e familjes Jashari… Nuk mund të flas për këtë gjë. Duhet të shkoni atje dhe ta merrni përgjigjen, nuk jam unë këtu që të supozoj..”, ka theksuar Konjufca, pas përfundimit të konferencës për shtyp të zhvilluar bashkë me ministren e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila të mërkurën ka vizituar Kosovën.