Kryetari i Senatit të UT-së, Kenan Ferati – Janevskës: Projektligji rrezikon autonominë universitare dhe zhvillimin e barabartë
Në amfiteatrin “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi” të Universitetit të Tetovës, më 25 shkurt 2026, u mbajt debat publik mbi projektligjin për arsimin e lartë, i cili pritet të sjellë ndryshime thelbësore në strukturën dhe funksionimin e universiteteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në këtë aktivitet, i zhvilluar në gjuhën shqipe, mori pjesë edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila prezantoi dispozitat kryesore të projektligjit.
Kryetari i Senatit, Kenan Ferati, paraqiti disa nga vërejtjet themelore që, sipas tij, ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e arsimit të lartë.
Ndër çështjet më të diskutuara ishte Neni 86, që parasheh formimin e Këshillit Universitar me përbërje të përzier, ku një pjesë e anëtarëve emërohen nga jashtë universitetit. Sipas Feratit, kjo mund të çojë në zhvendosje të peshës vendimmarrëse nga organet akademike drejt strukturave menaxheriale dhe të rrezikojë autonominë kushtetuese të universiteteve.
Një tjetër shqetësim ishte heqja e titujve “Docent i titulluar” dhe “Profesor inordinar i titulluar”, që aktualisht shërbejnë si mekanizëm për sigurimin e vazhdimësisë së procesit mësimor, veçanërisht në fakultetet profesionale si ai i Mjekësisë.
“Heqja e titujve “Docent i titulluar” dhe “Profesor inordinar i titulluar”. Çfarë parasheh ligji? Propozimligji nuk i parasheh titujt docent i titulluar dhe profesor inordinar i titulluar që ekzistonin në ligjin paraprak. Kjo në praktikë nënkupton heqjen e mundësisë për angazhimin e tyre në procesin mësimor. Pse kjo është problem për Universitetin e Tetovës? Sidomos në Fakultetin e Mjekësisë dhe në fakultete të tjera profesionale, këta tituj janë instrument thelbësor për sigurimin e vazhdimësisë së procesit mësimor; në kushte kur nuk jepen pëlqime për punësime të reja, profesorët me tituj të titulluar ndihmojnë në plotësimin e nevojave kadrovike, ata sjellin vlerë të shtuar për studentët përmes përvojës së tyre praktike; heqja e tyre e privon universitetin nga një mekanizëm fleksibil për angazhimin e kuadrit cilësor pa barrë shtesë financiare” është shprehur Kryetari i Senatit, Kenan Ferati.
Po ashtu, u kundërshtuan kriteret e ashpërsuara për avancim akademik, me theks të shtuar në publikime me “impact factor” në platforma ndërkombëtare, duke vlerësuar se kjo mund të vështirësojë përparimin e kuadrit të ri dhe të kufizojë konkurrencën, sidomos për kandidatët e diplomuar jashtë vendit.
Sa i përket Nenit 124 për ciklin e tretë të studimeve, u theksua se kushtet kumulative – përfshirë renditjen ndër katër universitetet e para dhe përvojën mbi 15 vjet – mund të çojnë drejt centralizimit dhe kufizimit të konkurrencës në sistemin universitar.
“Neni 124 – Cikli i tretë (Studimet e doktoratës). Çfarë parasheh ligji? Neni 124 lejon organizimin e studimeve të doktoratës vetëm për universitetet që plotësojnë kushte të larta dhe kumulative, përfshirë: të jenë të renditura ndër “katër të parat”; të kenë ushtruar veprimtari së paku 15 vjet; të kenë pragje të larta për projekte dhe publikime; të gjitha kushtet të vlejnë në mënyrë kumulative. Pse kjo paraqet problem? Problemi është i trefishtë: Renditja si pengesë juridike – renditja është instrument analitik, por nuk duhet të shndërrohet në filtër monopolistik për ciklin e tretë; kushti prej 15 vitesh – mosha institucionale nuk është garanci për cilësinë e programit doktoral dhe krijon pengesë strukturore për universitete më të reja që mund të kenë kapacitete të mjaftueshme në fusha të caktuara dhe, kumulativiteti i kushteve – plotësimi kumulativ i shumë kritereve përjashton praktikisht një pjesë të madhe të sistemit universitar, duke çuar drejt centralizimit dhe jo konkurrencës së bazuar në cilësi” tha në fund Ferati.
Ndryshe sot rreth 220 të profesor universitar nga tre universitetet shqiptare, si Universiteti i Tetovës, Universiteti i Everopës Juglindore dhe Universiteti “Nëna Terezë” kanë nënshkruar letër publike drejtuar ministres Vesna Janevska që ky propozim ligj të tërhiqet.

