Kurti thotë se Vjosa Osmani nuk është kandidatja e VV-së për Presidente
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur një seri takimesh me liderët e partive opozitare për të diskutuar procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, në përpjekje për të shmangur një krizë të re institucionale dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Pas takimit me kryetarin e Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, Kurti deklaroi se aktualisht nuk ka një emër të posaçëm për postin e presidentit. I pyetur nëse mund të propozohet sërish presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ai nuk dha një përgjigje të prerë, duke theksuar mungesën e votave të mjaftueshme për të garantuar zgjedhjen.
“Ne nuk kemi mbledhur nënshkrime për askënd, sepse edhe në rastin më të mirë mund të arrijmë në 66 vota, por jo në 80. Mund të nxjerrim kandidat, por 66 është shumë larg 80. Do të ishte e dëmshme të nxjerrim kandidat ndërkohë që kemi mbetur te ky numër,” u shpreh Kurti.

