Prokuroria propozon që Artan Grubi, të dërgohet vetëm në arrest shtëpiak
Prokuroria propozon që Artan Grubi, i cili ishte në arrati për një vit të tërë, të dërgohet vetëm në arrest shtëpiak.
Artan Grubi, ish-zëvendëskryeministër i parë dhe ish-ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, mbrëmjen e sotme, pas pothuajse gjashtë orësh marrje në pyetje në Prokurori, është dërguar në Gjykatën Themelore Penale.
Grubi, pak para orës 19:00, u nxor nga ndërtesa e Prokurorisë me pranga në duar dhe u fut në një furgon të policisë së burgjeve, raportuan mediat.
Ndërkohë, Prokuroria njoftoi se ka kërkuar që masa e paraburgimit për ish-zëvendëskryeministrin, e cila ishte caktuar që kur ai u arratis nga Maqedonia më shumë se një vit më parë, t’i zëvendësohet me arrest shtëpiak.
Nga Prokuroria Publike këtë vendim – i cili padyshim do t’i nxisë edhe më tej spekulimet tashmë të përhapura se kthimi i Grubit në vend është rezultat i ndonjë marrëveshjeje politike me pushtetin aktual – e arsyetojnë me pretendimin për pasigurinë e Grubit në burgun “Shutka”, ku ai do të duhej të mbahej në paraburgim.
“Prokuroria Themelore Publike Shkup propozoi zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak dhe konfiskimin e dokumentit të udhëtimit, duke pasur parasysh faktin se në pjesën më të madhe provat janë siguruar gjatë procedurës, se i njëjti është paraqitur vullnetarisht para organeve të ndjekjes, si dhe se ekzistojnë indikacione që në repartin e paraburgimit nuk mund të garantohet siguria e tij personale, të cilat indikacione mbështeten me njoftime nga organet kompetente. Gjithashtu, indikacionet për sigurinë e rrezikuar kanë të bëjnë edhe me anëtarët e familjes së tij”, thuhet nga Prokuroria Publike në njoftim./albazone.mk

