ZRrE: Konsumatorët familjarë kanë të drejtë ligjore ta zgjedhin furnizuesin e vet rrymës
Familjet kosovare marrin rrymë veç nga një kompani. Por, edhe të tjera mund të hyjnë në garë për furnizimin e tyre me energji elektrike.
Përveç bizneseve ekziston mundësia që edhe qytetarët të dalin në tregun e lirë të energjisë. Që secili konsumator të ketë të drejtë ta zgjedhë vetë furnizuesin e tij e përkrahin edhe nga Instituti për Politika Zhvillimore.
Nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) janë përgjigjur për Klan Kosova, nëse kjo mund të ndodhë dhe si funksionon.
Kjo e drejtë, sipas ZRrE-së ekziston për të gjithë konsumatorët dhe mund të ushtrohet në çdo kohë.
Por, për këtë duhet të plotësohen kushtet e tregut dhe marrëveshjet kontraktuale
“Konsumatorët familjarë, pavarësisht se aktualisht furnizohen në kuadër të shërbimit universal dhe përfitojnë nga rregullimi tarifor, kanë të drejtë ligjore të zgjedhin furnizuesin e tyre të energjisë elektrike. Kjo e drejtë ekziston në mënyrë të barabartë për të gjithë konsumatorët dhe mund të ushtrohet në çdo kohë, në përputhje me kushtet e tregut dhe marrëveshjet kontraktuale përkatëse.”
Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është i paraparë me kornizën ligjore në fuqi dhe me obligimet që rrjedhin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.
Në këtë kuptim, funksionimi i tregut bazohet në parimin e hapjes së tregut dhe të drejtës së konsumatorëve për zgjedhje të lirë, njoftoi tutje ZRrE.
Më poshtë mund ta ndiqni kronikën e realizuar gjatë ditës së djeshme.

