Andin Hoti: Pashë me sytë e mi tentimin për shantazh ndaj Kurtit për çështjen e presidentit
Ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare në Kosovë, Andin Hoti ka reaguar publikisht lidhur me deklaratat e kryeministrit Albin Kurti për çështjen e presidentit, duke thënë se konfirmon çdo detaj të asaj që është thënë.
Hoti tha se ka parë vetë një tentim për shantazh politik ndaj Kurtit lidhur me këtë çështje, duke theksuar se emri i tij është përmendur vetëm si përpjekje për të tejkaluar një ngërç politik dhe për të shmangur krizën institucionale.
Ai theksoi se asnjëherë nuk ka kërkuar poste politike dhe se e konsideron nder të madh përmendjen e mundshme për postin e presidentit, ndërsa shtoi se do të vazhdojë të bëjë thirrje për unitet politik në vend. Në reagimin e tij, Hoti përmendi edhe babanë e tij, Ukshin Hoti, duke thënë se është krenar për trashëgiminë e tij dhe për përpjekjet për të ndërtuar emrin e vet me punë dhe përkushtim.
Postimi i plotë:
Reagim publik!
Me përgjegjësi të plotë, konfirmoj çdo detaj të fjalëve të Kryeministrit Kurti në raport me çështjen e Presidentit dhe përmendjen e emrit tim.
Jo të dëgjuara, por të parë me sytë e mi.
Një lider politik, Kryeministër me mbi 50% të besimit të popullit, u tentua të shantazhohej me formulën “veç nëse don…”.
Në atë moment nuk u mendua për popullin, për shtetin, për të ardhmen e vendit. U mendua vetëm për pazarin.
Pse?
Sepse për disa kjo ka qenë sistem. Ka qenë normalitet. Ka qenë mënyra si është bërë politika për vite të tëra. Dhe është e kuptueshme që për një mendësi të mësuar me pazare është e vështirë të pranojë një Kosovë ndryshe, një Kosovë pa tregti politike, me vendosmëri dhe me parime.
Sa më përket mua.
Asnjëherë në jetën time nuk kam kërkuar ndonjë post dhuratë, e aq më pak postin e Presidentit, që natyrisht është nderi më i madh që mund t’i bëhet një qytetari të këtij vendi.
Asnjëherë nuk kam shtrirë dorën për një pozitë.
Asnjëherë.
E kundërta ka ndodhur gjithmonë.
Në momente të caktuara të jetës sime më janë ofruar përgjegjësi publike, sepse të tjerët kanë besuar se mund t’i mbaj me dinjitet.
I kam mbajtur me dinjitet.
Me parime të pathyeshme.
Me përkushtim të plotë.
Natyrisht që i pagabueshëm nuk jam, por me gjithë qenien dhe dijen time i jam përkushtuar çdo detyre që më është besuar.
Kam besuar, prandaj gjithmonë, në çdo pozitë, e kam mbajtur të palëkundur thirrjen për unitet.
Kam besuar gjithmonë se vetëm të bashkuar mund ta ndërtojmë Kosovën që duan dhe meritojnë qytetarët.
Emri im në rastin e Presidentit nuk ishte asgjë më shumë e as më pak se një përpjekje e sinqertë për të tejkaluar një ngërç politik, jo për hir timin, por për hir të këtij populli dhe stabilitetit institucional.
Për të shmangur zgjedhjet e pesta brenda një viti.
Për të shmangur malltretimin e qytetarëve të Kosovës me krizë të njëpasnjëshme politike.
Mbi 10 vite të jetës sime ia kam kushtuar PDK-së, me përkushtim dhe me bindje të plotë. Kam besuar pafundësisht se njerëzit që kontribuan në luftën për çlirimin e Kosovës do ta kenë po aq të pathyeshëm vullnetin për zhvillimin e saj.
Asnjëherë nuk kam drejtuar një fjalë kundër tyre.
As pasi u emërova Kryesues i Komisionit për Persona të Zhdukur nga Kryeministri Kurti.
As gjatë fushatës në dhjetor 2025 si kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje.
Përkundrazi.
Edhe kur ata donin të më largonin me çdo kusht, unë i mbroja.
Edhe kur më lanë “te dera”, siç u tha pardje me cinizëm, unë heshtja.
Edhe kur më sulmonin pa ndalur nga brenda, unë duroja.
Kam respektuar çdo individ aty, edhe atëherë kur nuk e meritonin.
Ditën e dytë të fushatës sime si kandidat nga Levizja Vetëvendosje e kam thënë qartë në media:
“Të kaluarën time nuk e mohoj. Njerëzit vazhdoj t’i respektoj.”
Fatkeqësisht, pardje u përdor një përqmim e cinizëm i ulët. Me një nënqeshje u tha se unë “e paskam vendin te dera”.
Ndoshta për disa dera është vendi ku kalojnë jetën duke pritur të takojnë “shefat”. Prandaj edhe u duket se të gjithë e kanë vendin aty.
Edhe më ironike është se dy herë nuk arritën as te dera e Kryeministrisë për ta marrë atë post, edhe pse kishin një parti me fuqi të madhe.
Por për këtë nuk kam asnjë faj unë.
Sepse lider lind – nuk bëhesh me zor.
I kam premtuar vetes që nuk do të merrem me të kaluarën. Por e kaluara fatkeqësisht vazhdon të më ndjekë, sepse disa i pengon fakti që unë nuk jam më “te dera”.
Pesë zgjedhje brenda një viti.
Pesë herë shpresë dhe zhgënjim për qytetarët.
Pesë herë destabilizim për shtetin.
Vetëm për të larguar dikë që populli e ka vendosur aty.
Kjo nuk është politikë.
Kjo nuk është normalitet.
Kjo nuk është qytetari.
Kjo është çmenduri politike.
Vendi për të cilin është derdhur gjak, përfshirë edhe gjakun e babait tim, axhës tim dhe gjyshit tim, po vazhdon të mbahet peng nga mania për pushtet: ku pazari është instrumenti kryesor për qeverisje, ndërsa vota e popullit trajtohet si pengesë.
Por në fund gjykon vetëm një: populli.
Ai ka gjykuar.
Dhe ai do të gjykojë përsëri, për secilin prej nesh.
Një gjë, megjithatë mbetet edhe më cinike. Sulmet ndaj meje, jo për atë çfarë kam bërë, por për atë se i kujt jam.
Afër 3 vite përvojë pune në gazeta, mbi 17 vite përvojë institucionale, deputet, kryesues i komisionit, kryetar delegacioni dhe sot ministër, në çdo detyrë që kam mbajtur kam punuar me përkushtim dhe përgjegjësi.
Asnjë skandal.
Asnjë dyshim korrupsioni.
Asnjë tradhti.
Dhe megjithatë, shpeshherë sulmohem më shumë se ata që skanë lënë gjë t’zezë pa i bërë shtetit.
Nganjëherë krijohet përshtypja se “faji” im i vetëm është se jam djali i Ukshin Hotit.
Por ata që po sulmojnë mbi bazën e kësaj arsyeje, duhet ta dijnë që kjo nuk është problem për mua, është krenari!
Shumë vite më parë, një profesor më pati thënë një fjali që nuk e kam harruar kurrë:
“Ti je djali i Ukshin Hotit. Dhe kjo do të të ndjekë gjithmonë. Mundohu ta mbash me nder, por duke ndërtuar edhe emrin tënd.”
Dhe kjo është ajo që jam përpjekur të bëj gjithë jetën time.
Me punë të ndershme.
Me përkushtim të plotë.
Me përgjegjësi ndaj çdo detyre që më është besuar.
Por nuk është faji im që vepra e Ukshin Hotit është aq kolosale sa më ndjek pas gjithë jetën, jo si barrë, por si mburojë morale.
Unë, përsëri, me sinqeritet, ripërsëris thirrjen time për unitet, për hir të vendit tonë dhe për hir të fëmijëve tanë. Sidomos në situatën në të cilën ndodhet bota sot, kur sfidat janë më të mëdha e më kërcënuese se sa secili prej nesh.
Sa për “mbeturinat jugosllave” në Kosovën e pasluftës: ata nuk e kanë me mua. Ata e kanë më shumë me Ukshin Hotin. E kanë me atë që ua ka prishur rehatinë e trashëguar.
Unë jam vetëm objektivi më i lehtë për mllefin e tyre.
Kam krijuar gjithashtu bindjen për një aftësi të çuditshme për t’i tërhequr mbeturinat. Sidomos disa kategori të tyre.
Ata që dikur, si pronarë portalesh, e quanin edhe Adem Demaçin “idiot”, duke treguar deficit të thellë kombëtar që vjen nga historia e familjeve të tyre.
Dhe ata që si kryeredaktorë portalesh lejonin tituj të tillë si
“Kthehen eshtrat e Ukshin Hotit të dielën”, duke fabrikuar edhe eshtra të paqena vetëm për të sulmuar familjen time, siç duket nga servilizmi i tepruar i konvertuar në inat pse unë nuk jam ende ‘te dera’.
Dhe një kategori tjetër, ndoshta edhe më e neveritshme: ata që një kohë ndjenin një kënaqësi të çuditshme duke ofenduar “komandantët” në mënyrë bizare në ndeja private, ndërsa në të njëjtën kohë, përfshirë rdhe tash, u shërbenin me një servilizëm të zellshëm sapo u dilnin përpara.
Por një gjë duhet ta dinë mirë:
Ukshin Hotin dhe veprimtarinë e tij nuk mund ta zvogëloni me asnjë sulm në botë.
Historia nuk shkruhet nga portalet e ditës.
Historia shkruhet nga veprat.
Dhe historia e Ukshin Hotit është shumë më e madhe se çdo përpjekje e vogël për ta baltosur.
Sepse historia ka një rregull të thjeshtë:
Mbeturinat i mbulon toka.
Lisat me rrënjë të forta qëndrojnë gjithmonë mbi dhe.

