BotaTop Lajme

Kryediplomati turk: Sulmet e paligjshme ndaj Iranit po e shtyjnë rajonin drejt një lufte më të gjerë

Shpërndaje

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, ka deklaruar se “sulmet e paligjshme” ndaj Iranit po e shtyjnë rajonin drejt pragut të një lufte më të gjerë, të nxitura nga “përshkallëzimi i pandërprerë izraelit”, raporton Anadolu.

Duke folur në hapjen e ditës së dytë të Samitit Ndërkombëtar të Komunikimit Strategjik (STRATCOM) 2026 në Stamboll, Fidan tha refuzojnë “çdo skenar që i tërheq vendet rajonale në një konflikt shkatërrues”.

“Veprimet iraniane që prekin vendet e Gjirit mbartin pikërisht këtë rrezik. Të jemi të qartë. Kjo mund të jetë lufta e zgjedhur e Izraelit, por e gjithë bota po paguan çmimin”, tha Fidan.

Ai theksoi se teksa konflikti po zgjatet, ndërlikimet gjeopolitike dhe ekonomike shumëfishohen me një ritëm alarmues, duke shtuar se “që nga dita e parë, Turqia ka kundërshtuar këtë trajektore të rrezikshme”.

“Kjo është një luftë e ndërtuar për mbijetesën politike të Netanyahu-t, por barra e saj, për fat të keq, bie mbi pjesën tjetër të botës”, tha Fidan, duke paralajmëruar se kriza mund të lërë pasoja të qëndrueshme jo vetëm në qytete, por edhe në mendjet dhe zemrat e popujve të rajonit.

Ai theksoi se ekziston “vetëm një rrugëdalje e mundshme për ne” dhe “ajo është diplomacia”.

Sa i përket agresionit të fundit të Izraelit në Liban, ai Turqia ka shprehur kundërshtimin e fortë ndaj politikave ekspansioniste të Izraelit, veçanërisht ndaj agresionit të fundit kundër Libanit.

“Për ta konkretizuar këtë, ne vazhdojmë dialogun e vazhdueshëm në nivele të larta. Qëllimi ynë është të përcaktojmë hapa konkretë për t’i dhënë fund këtij konflikti sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo luftë e pakuptimtë duhet të përfundojë. Para se të ndodhë më shumë shkatërrim, para se të thellohen armiqësitë, para se ekonomia globale të pësojë dëme të pakthyeshme. Kanalet e dialogut duhet të mbeten të hapura dhe një proces negociatash i orientuar drejt rezultateve duhet të nisë shpejt”, tha Fidan.

Kryediplomati turk paralajmëroi se teksa ndiqet paqja, udhëheqja e Turqisë nuk duhet të lejojë që qëndrimi ekstrem i Netanyahu-t të pengojë diplomacinë, duke theksuar se “ky kaos i ndërtuar” synon t’i mbajë vendet e rajonit “të dobëta, të përçara dhe të cenueshme”.

“Po jetojmë një çarje sistemike”

Më tej, Fidan tha se tema e këtij viti “Çrregullimi në sistemin ndërkombëtar: Krizat, narrativat dhe kërkimi për rend” është më aktuale se kurrë, duke shtuar: “Ne nuk po jetojmë thjesht një periudhë paqëndrueshmërie, por një çarje sistemike”.

Ai shtoi se kjo reflekton një çrregullim më të thellë, ku sistemi ndërkombëtar humbet busullën morale, koherencën dhe legjitimitetin, duke lënë krizat pa kontroll dhe duke ngritur pyetjen thelbësore, a ka ende sistemi autoritet dhe besueshmëri?

Fidan tha se ata që “kanë përfituar me rehati nga sistemi i padrejtë po përballen me një realitet kur krizat më në fund prekin brigjet e tyre”. Ai theksoi se “këto nuk janë debate akademike”.

Ai tha se arsyeja është më e nevojshme se kurrë në momentet më të errëta dhe se Turqia “do të vazhdojë të mobilizojë çdo instrument diplomatik” për të adresuar krizat.

Ministri turk gjithashtu tha se “në botën e sotme, fusha e betejës nuk është vetëm fizike, por edhe informative”, duke shpjeguar se narrativat “përdoren si armë për të formësuar perceptimin, për të kornizuar realitetin dhe shpesh për të errësuar vetë të vërtetën”, një fenomen që, sipas tij, është i dukshëm në gjenocidin e Izraelit në Gaza.