Rama: Çmimi i energjisë nuk preket për 96% të familjeve, momenti për kursim

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama përsëriti sot apelin e kursimit të energjisë, ndërsa siguroi se çmimi i energjisë nuk ndryshon për 96 % të familjeve shqiptare që harxhojnë deri në 800 kWh.

Gjatë inspektimit të shkollës së re “Andrea Stefani”, Rama u shpreh se është koha të japim një kontribut për të kapërcyer këtë moment dhe për të kursyer energji.

“Klasat e shkollave të reja kanë një teknologji ndriçimi me kursim energjie dhe që ndizet apo fiket automatikisht. Kjo e lehtëson këtë barrë të madhe, por kjo nuk mjafton. Duhet që në të gjitha shkollat të sensibilizohen në radhë të parë fëmijët e të kthehen në këshilltarët e prindërve në familje për domosdoshmërinë që të mos harxhojnë energji të panevojshme dhe të jemi sa më të kursyer”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se jemi të vetmit që kemi mbetur pa rritur çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë, biznesin e vogël, ndërkohë që çmimi rritet në mënyrë marramendëse në treg, në bursë.

“Është qeveria dhe buxheti i shtetit që plotëson gjithë atë hendek që zgjerohet midis çmimit real dhe çmimit që paguan secili në faturë. Ka pasur një përpjekje apo dyndje të papërgjegjshme nga të njëjtat burime të dezinformimit, manipulimit të opinionit, se do rritet energjia elektrike, por në fakt nuk do të rritet as për familjarët as për bizneset, por do të ndryshojë qasja për ata që konsumojnë energji përtej atij kufiri, që në fakt plotëson të gjitha nevojat normale të një familje”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se janë 96 % e familjeve shqiptare që faktikisht harxhojnë deri në 800 kWh dhe është një 4 % me pishina e shtëpi të mëdha, oborre të mëdha.

“Kanë një konsum shumë intensiv që shkojnë përtej 800 kWh. Këta 4 %, që janë edhe më të pasurit e këtij vendi, konsumojnë pothuajse 20 % të të gjithë konsumit të familjeve shqiptare. Për ta dhe çdo kilovat-orë mbi 800 do të ketë çmim real të tregut, se nuk ka kuptim që shumica dërrmuese e popullit që paguan edhe detyrimet të paguajë për një çmim të mbrojtur për të ndriçuar oborret, fasadat, mbajtur me ujë të ngrohtë pishinat e me radhë, të atyre që kanë mundësitë të paguajnë më shumë”, tha Rama.

“Çmimi i energjisë nuk do të preket as për familjet, as për bizneset e vogla deri kur nuk di ta them. Shpresoj deri në fund, por kjo varet shumë edhe nga sa do të jemi në gjendje të kursejmë dhe mos ta trajtojmë energjinë sikur jemi në mallin e babait, se është një mall që ka një vlerë dhe kosto të jashtëzakonshme për buxhetin e shtetit”, shtoi Kryeministri.