Refuzohen nismat për “Safe City”! Gjykata Kushtetuese: Është përcaktuar qartë ku zbatohet ligji për gjuhët
U refuzuan nismat për Ligjin për kundërvajtje në komunikacion, i njohur si “Safe City”, të paraqitura nga deputetët Ziadin Sela dhe Arben Taravari. Në iniciativa thuhej se zgjidhjet e reja për evidentimin elektronik të kundërvajtjeve krijojnë pabarazi, pasi sistemi zbatohet vetëm në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe se mesazhet që pranohen për kundërvajtjet duhet të jenë edhe në gjuhën shqipe. Gjykatësi Naser Ajdari tha se duhet të shqyrtohet kushtetutshmëria dhe t’i rekomandohet Kuvendit të bëjë ndryshimet e nevojshme në Ligjin për kundërvajtje.
“Mungesa e një garancie të qartë ligjore që këto njoftime të bëhen në gjuhët zyrtare të përfshira në Kushtetutë krijon një zbrazëti ligjore që mund të çojë në shkelje të regjimit kushtetues për përdorimin e gjuhëve”, tha Naser Ajdari – Gjykatës Kushtetues.
Gjykatësja raportuese Ana Pavlovska-Daneva tha se në vetë ligjin është e përcaktuar qartë në cilat raste zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe se nuk ka nevojë të hapet procedurë për shqyrtimin e kushtetutshmërisë, ndërsa kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, tha se nuk ka nevojë fare të nisë diskutimi.
“Ne propozojmë në parim realizimin e kompetencës sonë, sepse nuk gjejmë asnjë nga argumentet dhe asnjë nga dispozitat e propozuara që të hiqen ose anulohen, varet nga secili nga iniciatorët, nuk gjejmë arsye për të nisur procedurë”, u shpreh Ana Pavlovska Daneva – Gjykatëse Kushtetuese.
“Me forcën e argumenteve dhe analizës mbi disa çështje të diskutueshme, sidomos në lidhje me përdorimin e gjuhëve, liritë dhe të drejtat e qytetarëve, mbrojtjen e të dhënave personale, dhe barrën e provave, madje propozimi im do të shkonte edhe në vendim që Gjykata të mos nisë procedurë. Pra, vendim meritor, jo refuzim”, u shpreh Darko Kostadinovski – Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
“Safe City” ka shkaktuar debate ligjore dhe politike për shkak të përdorimit të tij të përqendruar vetëm në disa qytete dhe për mënyrën e përdorimit të gjuhëve zyrtare në njoftimet për kundërvajtjet.

