MaqedoniTop Lajme

Arrihet konsensus për versionin final, Ligji për Arsim të Lartë në procedurë qeveritare

Shpërndaje

Liderët e VLEN-it zhvilluan takim me kryeministrin Mickoski dhe Ministren e Arsimit Janevska për të harmonizuar kërkesat për Ligjin për Arsim të lartë. Siç informojnë edhe nga Qeveria është arritur konsensus i plotë për versionin final të reformave në arsimin e lartë dhe projektligji nesër pritet të hyjë në procedurë qeveritare pas dakordimit me partnerin e koalicionit. VLEN thekson se këto reforma nuk janë thjesht ndryshime ligjore, por një angazhim konkret për të ndërtuar një të ardhme akademike të qëndrueshme dhe konkurruese.

“VLEN është garantues se me këtë ligj universitetet në gjuhën shqipe jo vetëm që nuk do të dëmtohen apo anashkalohen, por do të vendosen në një pozitë të barabartë dhe dinjitoze me të gjitha institucionet e tjera të arsimit të lartë në vend. Rast konkret kemi edhe investimin historik rreth 40 milionë euro për kampusin e “Nënë Terezës”. Synimi ynë është i qartë, universitetet në gjuhën shqipe të jenë në krye, të fuqizuara dhe konkurruese në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”, thonë nga VLEN.

Ministrja Vesna Janevska informoi se janë shqyrtuar gjashtë pika, prej të cilave pesë kanë qenë tashmë të harmonizuara gjatë diskutimeve të mëparshme, ndërsa për të fundit – Hirsch Index – është gjetur një zgjidhje përfundimtare. Ky indeks, që përdoret për matjen e produktivitetit dhe ndikimit të publikimeve shkencore, kishte nxitur debat nëse duhet të jetë kriter primar për avancimin akademik.

“Pesë nga pikat ishin diskutuar edhe më parë, pasi ky ishte një proces i vazhdueshëm dhe ato nuk ishin më kontestuese. Pika e fundit për të cilën diskutuam ishte Hirsch Index, për të cilin gjithashtu gjetëm zgjidhje – që të mos jetë element bazë si kriter për përzgjedhje, por të hyjë si element shtesë në kriteret e përzgjedhjes. Në rast se dy profesorë kanë pikë të njëjta, vendimtar do të jetë Hirsch Index. Kjo tashmë është pranuar”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Pasi ta kalojë filtrin e Qeverisë, Ligji për arsim të lartë do të dorëzohet në kuvend para deputetëve.