BotaTop Lajme

​Gjykata ia rrezon Trumpit padinë 10 miliardë dollarëshe ndaj Wall Street Journal

Shpërndaje

Një gjyqtar federal i Shteteve të Bashkuara, hodhi poshtë të hënën padinë për shpifje prej 10 miliardë dollarësh që presidenti Donald Trump kishte bërë kundër Wall Street Journal dhe Rupert Murdoch, lidhur me një artikull për lidhjet e tij me Jeffrey Epstein, njofton AP.

Gjyqtari i Gjykatës Federale, Darrin P. Gayles në Florida, shkroi në vendim se shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk kishte arritur të argumentonte se artikulli ishte publikuar me qëllim dashakeq, por i dha atij mundësinë të paraqesë një padi të ndryshuar.

Sipas AP, Trump e paraqiti padinë në korrik, duke përmbushur një premtim për të paditur gazetën pothuajse menjëherë pasi ajo riktheu vëmendjen mbi marrëdhënien e tij të dokumentuar mirë me Epstein, duke publikuar një artikull që përshkruante një letër me përmbajtje sugjestive seksuale, e cila sipas gazetës mbante nënshkrimin e Trump dhe ishte përfshirë në një album të vitit 2003, të përpiluar për 50-vjetorin e Epstein.

Letra më pas u bë publike nga Kongresi, i cili kishte kërkuar dokumentet nga pasuria e Epstein, përmes një thirrjeje zyrtare.

Vendimi përbën një tjetër goditje për përpjekjet e administratës Trump për të menaxhuar pasojat e publikimit të dosjeve Epstein dhe përpjekjet e presidentit për të përdorur sistemin ligjor për të frenuar raportimet që ai i konsideron kritike ndaj tij, thuhet në shkrimin e AP, transmeton KosovaPress.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment në lidhje me vendimin e Gjykatës Federale të Florida-s.