RajoniTop Lajme

Kurti për Masakrën e Rezallës: Serbia ende fle mbi varreza masive nga gjenocidi në Kosovë

Shpërndaje

Në përvjetorin e Masakrës së Rezallës, kryeministri Albin Kurti ka rikujtuar një nga krimet më të rënda të luftës, duke theksuar se plagët e kësaj tragjedie mbeten ende të hapura për familjarët e viktimave dhe për gjithë shoqërinë.

Ai përkujtoi se pas ekzekutimit të 98 burrave dhe djemve në këtë fshat, forcat serbe tentuan të fshehin gjurmët e krimit duke zhdukur trupat e pajetë.

Postimi nga KURTI:

Dëshmitë e gjenocidit të Serbisë janë të freskëta gjithandej në Kosovë. Të njoma janë plagët e familjarëve të të vrarëve në Masakrën e Rezallës, ku më 5 prill 1999 u vranë 98 burra dhe djem.
Pas ekzekutimit mizor, në përpjekje për të fshehur krimin, forcat e armatosura të Serbisë ua rrëmbyen kufomat. 29 prej tyre janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Nga Kizhevaku, në vitin 2021 u kthyen në tokën e Kosovës eshtrat e shtatë prej të vrarëve, mes tyre edhe raste të ribashkimit të eshtrave të zhvarrosura vite më parë në Rudnicë.
Ende Serbia fle mbi varreza masive nga gjenocidi i kryer në Kosovë. Mbi 950 civilë të paarmatosur u masakruan në Kosovë, ua rrëmbyen kufomat dhe i futën në varreza masive në Serbi, përfshirë këtu kamionë frigoriferë që dolën nga fundi i liqeneve atje. Ende Serbia i mbanë të fshehura informacionet për vendndodhjen e të paktën 11 varrezave masive brenda territorit të saj.
U bëjmë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që nga Serbia, si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e qytetarëve tanë, të kërkojnë zbardhjen e plotë të fatit të të zhdukurve. Institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës duhet të veprojnë pa vonesë, që urdhërdhënësit dhe ekzekutorët të dalin para drejtësisë.
Nuk mund të lejojmë që harresa të mbulojë mizoritë e luftës në Kosovë, siç nuk mund të mbulojë dheu i varrezave masive të vërtetën për krimet e kryera nga Serbia.
Duke nderuar të kaluarën dhe duke kërkuar drejtësi për viktimat, angazhohemi për të ardhmen e Republikës sonë, ku brezat e rinj rriten të lirë dhe të sigurt.
Në këtë datë që është dëshmi e dhimbjes dhe qëndresës së popullit tonë, nderojmë të vrarët në Rezallë. I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve dhe dëshmorëve të kombit!
Lavdi!